Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

VENDIMI PËR 2022/23

FBK gjen mesin, për të huajt vendoset 3+2

FBK gjen mesin, për të huajt vendoset 3+2


29 July, 2022 @11:40

Pesë nga tetë ekipet e Superligës së Kosovës në basketboll, kishin kërkuar që rregulli i lojtarëve të huaj në ndeshjet e stinorit të ri të Superligës të bëhet prej 3+1 në 4+1.

Prishtina, Bashkimi, Prizreni, Rahoveci dhe Peja - kishin dërguar këtë kërkesë në FBK.

Rregulli 3+1, që ka qenë në fuqi gjatë edicionit të kaluar do të thotë që në ndeshje të garave të organizuara nga FBK, mund të regjistrohen katër basketbollistë të huaj, prej të cilëve tre guxojnë të luajnë në të njëjtën kohë dhe tjetri të shfrytëzohet si zëvendësim i tyre.

Për shkak të numrit të paktë të lojtarëve cilësorë vendorë, disa ekipe në stinorin e kaluar natyralizuan disa lojtarë. Si shembull, Amin Hot i Trepçës u bë kosovar, njëjtë sikurse edhe Daniel Lekndreaj i Pejës.

E pas goditjeve të Yllit dhe Trepçës në afatin kalimtar veror për edicionin e ri të garave, kriza për lojtarë cilësorë vendor u bë edhe më e madhe - dhe kjo detyroi edhe FBK-në të ndërrojë këtë rregull, por jo krejtësisht sipas kërkesës së klubeve në fjalë.

Kështu, në mbledhjen e fundit të Bordit të FBK-së dhe vendimeve të mara aty, është bërë e ditur se rregulli i paraqitjes së lojtarëve të huaj nga 3+1 është bërë 3+2. Pra, ekipet do të mund të regjistrojnë pesë lojtarë të huaj, por prapëseprapë, vetëm tre njëkohësisht do të jenë në parket.

“Në kuadër të diskutimit të Propozicioneve të Garave për edicionin 2022/23 ka vendosur që të ndryshojë rregullin e paraqitjes së lojtarëve të huaj nga 3 + 1, në 3 + 2 të huaj në përbërje të skuadrës,” — ka shkruar në Vendim të Bordit të FBK-së, vendosur dje më 28 korrik 2022.

Në ndërkohë pritet të shihet se si do të jetë reagimi i klubeve që kishin kërkuar 4+1!


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga