PRISHTINA - PRIZRENI

Foto: FBK/Sh. Ahmeti
Fells e Koljevic shkëlqejnë, Prizreni fiton në kryeqytet
21 October, 2021 @18:48
Një ndeshje mjaft e mirë dhe me shumë pikë të shënuara u luajt sonte në kryeqytet mes Prishtinës dhe Prizrenit-16.
Në fund fituese doli skuadra e Prizrenit, që takimin e mbylli me fitore 100-108. Kjo fitore skuadrën prizrenase për momentin e ngrit në krye të renditjes.
Pjesa e parë u mbyll me epërsi 7 pikëshe të prizrenasve. Çereku i parë përfundoi 22-30, e i dyti 27-26, me ç‘rast Prizreni e mbylli pjesën e parë me 7 pikë epërsi,
Në disa momente në pjesën e dytë, Prishtina arriti ta ngushtojë rezultatin në pak pikë, por me sulme të shpejta nën udhëheqjen e dyshes fantastike Fells- Koljevic, Prizreni nuk lejoi përmbysje dhe e mbylli ndeshjen me fitore.
Courtney Fells (31 pikë (7 treshe), 5 asistime, 5 topa të vjedhur, 4 kërcime) dhe Ivan Koljevic (23 pikë, 8 asistime e 7 kërcime) shkëlqyen te Prizreni sonte, pa e harruar edhe Urim Zenelajn, që luajti me double-double prej 18 pikëve e 14 kërcimeve.
Te Prishtina sonte 6 lojtarë patën pikë dyshifrore, e prej tyre më së shumti patën Dachon Burke (17 pikë), Jetmir Zeqiri (16 pikë) e Jan Palokaj (16 pikë).
Me këtë fitore, Prizreni e kryen ciklin e parë të ndeshjeve me bilanc 5-2, kurse Prishtina momentalisht ka një ndeshje më pak të luajtur dhe ka bilanc 3-3.
Xhiron që vjen, Prishtina e pret Dritën në kryeqytet, kurse Prizreni luan ndaj Rahovecit në “Mizahir Isma”.