PEJA - PRISHTINA

Fells shkëlqen, Peja ndjek kryesuesit
20 March, 2022 @21:08
Fitore në derbi ndaj Prishtinës dhe vazhdim të ndjekjes së kryesuese në renditje, në xhirot e fundit të stinorit të rregullt.
Ky është bilanci i sontëm i Pejës, që ka mposhtur Prishtinën në “el clasico” të basketbollit kosovar, derisa ndeshja u këput në pjesë të dytë, kur verdhezinjtë dominuan për të fituar duelin me rezultat 89-78 [18-14, 20-28, 24-17, 27-19].
Courtney Fells ka shkëlqyer te Peja duke luajtur me 25 pikë, 6 asistime e 7 kërcime, ndërsa ka regjistruar edhe një bllokadë e 2 topa të rrëmbyer gjatë lojës, thuajse pa pushim, 39:56 minuta nga 40.
Me double-double ndeshjen e kreu Calvin Godfray që shënoi 18 pikë e 10 kërcime, ndërsa bëri 4 bllokada.
Ndihmesë e madhe për “shqiponjat” sonte ka qenë edhe debutimi i Darius Washington, që shënoi 13 pikë.
Te Prishtina nuk mjaftuan 17 pikët e Jan Palokajt e as 15 të Kennyh Brown për të bërë më shumë në derbi, përkundër paraqitjes solide ekipore.
Pas kësaj ndeshjeje 15-7 bëhet bilanci i Pejës, ndërsa Prishtina i kthehet bilancit negativ, 11-12.