GAME 1: YLLI - RAHOVECI
Festë ‘vreshtare’ në Suharekë, Rahoveci merr epërsinë
23 April, 2019 @20:44
Një ndeshje fantastike është zhvilluar sonte mes Yllit dhe Rahovecit në Suharekë!
Skuadrat në fjalë dhuruan një ndeshje mjaft emocionuese deri në çastet e fundit të ndeshjes, me rezultatin që ishte vazhdimisht i ngushtë, e në fund fitores iu gëzuan mysafirët nga Rahoveci, të cilët me triumfin e sontëm krijojnë epërsi 1-0 në serinë gjysmëfinale të Play Off-it të Superligës së Kosovës në basketboll.
28-26, 24-23 dhe 27-24 ishin rezultatët e tre çerekëve të parë veç e veç, gjë e dëshmon sa e ngushtë ishte ndeshja dhe çfarë lufte po zhvillohej mes skuadrave, ndërsa në çerekun vendimtar të ndeshjes më të përqëndruar u treguan “vreshtarët”, të cilët të udhëhequr nga Minnis e Richardson arritën të tregohen më të mirë në momentet vendimtare të ndeshjes dhe ta mbyllin ndeshjen me fitore të ngushtë 93-96.
Përveç dyshes amerikane, pikë vendimtare pak sekonda para fundit shënoi edhe Arian Qallaku, ndërkohë në aksionin e fundit të ndeshjes, Clayton Everett i Yllit dështoi të shënonte për 3 pikë, shënim i cili do ta dërgonte ndeshjen në vazhdime, dhe kështu skuadra therandase u detyrua të pajtohet me humbje në takimin e parë të serisë.
Në çerekun e parë të ndeshjes, nga loja për shkak të lëndimit u detyrua të largohet Alban Veseli, një nga basketbollistët më me përvojë te Ylli, i cili nuk u rikthye në parket deri në fund të ndeshjes dhe takimin e mbylli me vetëm 3 minuta të luajtura.
Garrius Holloman me 33 pikë, 8 kërcime e 2 asistime ishte më i dalluari te Ylli sonte, derisa te Rahoveci tre lojtarë luajtën me mbi 20 pikë; Richardson me 25, Qallaku me 22 dhe Minnis me 21.
Pasi që seria gjysmëfinale zhvillohet në sistemin 2-2-1, edhe ndeshja e dytë e serisë luhet në Suharekë. Siç dihet, përparësia e vendasit i takon ekipit që ka përfundar më lartë në tabelë në sezonin e rregullt, pra në këtë seri ekipit të Yllit.