PAS VIZITËS
FIBA jep leje për organizim të “Euros” nga FBK
Teksti: FBK
14 February, 2018 @13:32
Më 13 dhe 14 shkurt në Prishtinë ka qëndruar zyrtarja e FIBA-s, Radmila Turner, e cila e mban pozitën e Udhëheqëses së Federatave Nacionale dhe Udhëheqëses për Sport, Rini e Antidoping në FIBA Evropë.
Qëllimi i vizitës së saj ka qenë fillimi i përgatitjeve për Kampionatin Evropian U-18, Divizioni C që do të mbahet në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik 2018.
Turner me këtë rast ka zhvilluar takime pune me udhëheqësen e Komitetit Lokal Organizativ të Kampionatit, Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushkun, dhe me anëtarë të stafit të këtij Komiteti, si dhe më pas e ka bërë inspektimin e palestrave sportive në Prishtinë (“1 Tetori” dhe Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë), hoteleve, ku pritet të akomodohen zyrtarët e FIBA-s, si dhe Konviktin ku pritet të akomodohen ekipet pjesëmarrëse të këtij Kampionati.
RAPORTI
Pas dy ditë pune intensive Turner e ka dhënë pëlqimin që Kampionati mund të organizohet në kushtet e ofruara nga FBK, me përjashtim të palestrës “1 Tetori” ku ajo ka kërkuar të bëhen disa ndërhyrje urgjente në mënyrë që ekipet të zhvillojnë në kushte sa më të mira stërvitjet.
Pas kthimit në Munich, Turner do të bëjë një raport për vizitën e saj në Prishtinë dhe më pas FBK edhe zyrtarisht mund të filloj të punoj në organizimin e Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C.
Pjesëmarrëse të Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C janë:
Grupi A: Moldavia, Armenia, Irlanda, Malta, Monako.
Grupi B: Qipro, San Marino, Kosova, Gjibraltari.
Duhet theksuar se gjatë zhvillimit të Kampionatit në Prishtinë pritet të zbarkoj edhe Kamil Novak, Sekretar i Përgjithshëm i FIBA Evropës.