PRIZRENI - TREPÇA
Fitore ndaj Trepçës, Prizreni “nënkampion i gjysmësezonit”
10 January, 2021 @16:42
Në ndeshjen e parë të ditës së sotme në Superligë, Prizreni arriti ta mposhtë Trepçën me rezultat 95-74.
Pjesa e parë mes skuadrave ishte më e barabartë, ndërkohë që “shpërthimi” i vendasve erdhi në pjesën e dytë, për ta arritur kështu fitoren e dhjetë sezonale.
21-12 u mbyll çereku i tretë e më pas 28-18 ai i katërti, duke bërë që fitorja e prizrenasve në fund të jetë e thellë.
Jeremiah Paige ishte koshashënuesi më i mirë te prizrenasit sot. Ai luajti me 27 pikë e 2 kërcime. Paraqitje të mirë zhvilloi edhe Xavier Cannefax me 22 pikë, 10 asistime e 3 kërcime.
Te Trepça as sot nuk luajti Drilon Hajrizi, ndërkohë që më i miri te kjo skuadër në këtè takim ishte Erving Robert me 26 pikë, 5 asistime e 2 kërcime.
Kjo humbje e mban Trepçën në vendin e fundit në tabelë, kurse Prizreni gjysmësezonin e mbyllë në vendin e dytë.