DERBI I PRIZRENASVE
Fitorja e parë e Bashkimit ndaj Trepçës
23 March, 2014 @13:55
Skuadra e Bashkimit ka bërë një hap të madh drejt luftës për vendin e tretë në kampionat, duke e mposhtur Trepçën si mysafir në palestrën Jeton Tërstena të Vushtrrisë, ku luajnë mitrovicasit si vendas.
Bashkimi ia nisi mirë ndeshjes që në çerekun e parë dhe krijoi epërsi 10 pikëshe në fund të saj. Pastaj Trepça u këndell në saje të spanjollit Jan Orfilla duke përfunduar pjesën e parë me vetëm pesë pikë dallim, 38-44 për Bashkimin.
Mirëpo në çerekun e tretë prizrenasit me mbrojtje të mirë nuk kanë lënë që të gjelbërit të shënojnë më shumë se katër pikë në koshin e tyre, 42-63.
Përkundër se djelmoshat e Israel Martin u munduan në çerekun e fundit, epërsia nga çereku i kaluar ishte i pakapshëm për Trepçën dhe kështu trajneri prizrenas Edin Kërveshi arriti fitoren e parë ndaj Trepçës për sa kohë është në krye të portokallëve.
Te Bashkimi Rickey Young dhe Aaron Mitchel ishin ndër më të dalluarit, derisa te Trepça spanjolli Jan Orfila.
Rezultatet dhe tabela aktuale.