DRILONI
Së pari ekipi, pastaj shëndeti!
22 March, 2014 @13:19
Basketbollisti mitrovicas i Pejës, Drilon Hajrizi, ka marrë një vendim jo të lehtë lidhur me shëndetin e tij, vetëm për të mirën e ekipit të tij - Peja.
Ai do të shtyej operacionin e tij për një javë, vetëm e vetëm për të qenë në dispozicion të trajnerit Slobodoan Savovic në ndeshjen vendimtare të Balkan League kundër Balkan Botevgradit në mesjavën që vjen.
Hajrizit i është thënë nga mjekët që mund të rrezikoj shumë nëse nuk ‘hyn nën thikë’ këtë javë, por mitrovicasi edhe njëherë ka treguar se është njeri që flijohet për ekip duke e lënë edhe shëndetin e vetë anash.
Ai pritet që të jetë i gatshëm edhe për Final Fourin e Kupës së Kosovës në basketboll, para operacionit.
Final Four i Kupës së Kosovës do të mbahet në Gjakovë - fundjavën që vjen.
Hajrizi nuk ka cekur prej çka do të operohet, por ka treguar simptomet që i janë shfaqur kohëve të fundit si marramendja, nervozizmi, moskoncentrimi adekuat për ndeshje, etj.