I FUNDIT, PA FITORE, MPOSHTI TË PARIN ME KREJT FITORE!
Flamutari befason Prishtinën e Re
5 October, 2024 @22:27
Skuadra e Flamurtarit ka arritur të shënojë fitoren e parë sezonale në Ligë të Praë - Grupi B dhe atëherë kur më së paku është pritur! Ekipi që tashmë ka trajner Erdin Hashanin ka shënuar fitore sot ndaj skuadrës së vetme të pamposhtur në grup dhe që deri sot ka pasur vetëm fitore aty, Prishtina e Re.
Goli i hershëm i Enes Durakut (22’) ka mobilizuar shpejt Prishtinë e Re për tu rikthyer në ndeshje, por ekipi këtë nuk arriti ta shndërrojë në rezultat, përkundër mbi dhjetë rasteve të mira që kishin në ndeshje.
Bile, vendimet diskutabile të referëve në ndeshjen e sotme janë parë edhe në videot e botuara pas ndeshjes, ndërsa Prishtinës së Re iu anulua një gol për pretekst ofsajdi, e kishte edhe raste të tjera! Prishtina e Re ka paralajmëruar edhe ankesë në organet përkatëse për referimin e sotëm në “Xhemajl Ibishi” ku luajti në cilësi të vendases.
Sidoqoftë, Flamurtari shfrytëzoi mundësinë dhe disi arriti te fitorja e parë e stinorit që pritet të jetë shtytëse për ta në vazhdim, në përballjen që përfundoi me: Prishtina e Re - Flamurtari 0-1 [Enes Duraku 22’].
Prishtina e Re mbetet në krye të tabelës me 21 pikë pas 8 ndeshjeve, përkundër humbjes së parë sezonale. Ndërsa Flamurtari tash pritet të futet në lojë për mbijetesë, ndërsa xhiron e tetë e mbyllë në pozitë të fundit dhe pas 7 disfatave radhazi në xhiron e tetë ka arritur fitoren e parë kampionale dhe tash ka 3 pikë.