FINAL 8: RAHOVECI - TREPÇA
Fund tejet dramatik, Rahoveci në gjysmëfinale!
3 February, 2021 @17:48
Gjysmëfinalisti i parë i Kupës së Kosovës për sezonin 2020/2021 në Superligën e basketbollit është klubi i Rahovecit.
Në përballje ndaj Trepçës, Rahoveci fitoren e siguroi në sekondat e fundit të ndeshjes përmes dy gjuajtjeve të lira të suksesshme të Isaiah Traylor, për ta mposhtur skuadrën mitrovicase me rezultat 66-64.
Ndeshjen më mirë e filluan mitrovicasit, duke e mbyllur çerekun e parë 5-14, mirëpo dalëngadalë vreshtarët u rikthyen në lojë.
Çereku i dytë u mbyll 24-20 për Rahovecin, e më pas i treti 18-13 gjithashtu për Rahovecin, e kështu skuadrat 10-minutëshin e fundit e nisën me rezultat të ngushtë.
E çereku i fundit ishte shumë interesant dhe fituesi nuk dihej deri në momentet e fundit.
Në çastet më kritike të ndeshjes, Arian Qallaku, Altin Morina e Isaiah Traylor u treguan vendimtarë për skuadrën e tyre, e në anën tjetër mitrovicasit nuk e përballuan dot presionin dhe u detyruan të pajtohen me humbje.
Traylor ishte më i miri te Rahoveci sonte. Ai shënoi gjithsej 18 pikë, dy prej të cilave erdhën në sekondat e fundit kur rezultati ishte 64-64, ndërkohë që meritë në këtë fitore kanë edhe dyshja e inkuadruar nga banka rezervë, Arian Qallaku e Altin Morina, që shënuan 15, respektivisht 16 pikë sonte.
Në anën tjetër, Drilon Hajrizi ishte më i miri te Trepça.
Ai zhvilloi paraqitje fenomenale me 23 pikë, 12 kërcime ,5 asistime, 1 top të vjedhur e 1 bllokadë, por kjo paraqitje fantastike individuale ishte e pamjaftueshme për Trepçën që ta arrijë gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës sivjet.
Në gjysmëfinale, Rahoveci e pret fituesin nga dueli Ylli vs. Bashkimi.