Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

YLLI FITON

Harris dominon në fitoren e Yllit ndaj Vëllaznimit

Harris dominon në fitoren e Yllit ndaj Vëllaznimit


18 March, 2023 @23:26

Qendra e Yllit Chris Harris ka dominuar sonte nën kosh, duke luajtur me performancë të lartë, derisa ekipi i tij ka shënuar fitore ndaj Vëllaznimit në Shani Nushi, për të shtuar gjasat për dy vendet e para të stinorit të rregullt dhe plasman direkt në gjysmëfinale të PlayOffit.

Ylli, kampion aktual i Kosovës, ka mposhtur Vëllaznimin 75-89 [15-15, 18-32, 18-24, 24-18] për të shënuar fitoren e 19 kampionale, kurse Chris Harris ka bërë double-double prej 12 pikësh, 19 kërcimesh dhe ka regjistruar edhe 3 bllokada!

Koshashënues më i mirë te Ylli ka qenë Rashun Davis, me 18, ndërsa Ardit Pepaj ka luajtur njërën ndër ndeshjet më produktive të tij, duke shënuar 16 pikë, 2 asistime e 2 kërcime në fitore.

TABELA AKTUALE

Vëllaznimi në anën tjetër, plotësisht i koncentruar në përballjen vendimtare që e pret xhiron tjetër ndaj Prizrenit, edhe pse u mundua mjaft sonte, në disa momente u pa dallimi në cilësi të lojtarëve, që në fund doli të jetë vendimtar për rezultatin përfundimtar. Devin Johnson luajti me 27 pikë, ndërsa Jordan Harris me 21 pikë në këtë ndeshje për kuqezinjtë e Gjakovës. Të tjerët nuk arritën të shënojnë pikë dyshifrore!

Ylli me fitore bëhet 19-7 dhe pret ndonjë gabim të mundshëm të Prishtinës në ndeshjet e mbetura të stinorit të rregullt, ndërsa Vëllaznimi mbyll xhiron si i shtati me bilanc të njëjtë si Ponte Prizreni (i gjashti) 8-18, para duelit që pritet të jetë vendimtar mes tyre në Shani Nushi në xhiron e parafundit të stinorit. Kjo ndeshje pritet të përcaktojë përfundimisht ekipin e fundit që do të merr pjesë në PlayOff dhe atë që do të duhet të luajë PlayOut për mbijetesë në Superligë.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga