SONTE DUELI
Hyrja falas, Kosova U-21 gati për duelin ndaj Polonisë U-21
Teksti: FFK
11 October, 2024 @13:54
Kombëtarja e Kosovës U21 ka mbajtur dje seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes së rëndësishme kundër Polonisë, e cila do të zhvillohet sonte në orën 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Trajneri i Kosovës U21, Afrim Tovërlani, në deklaratën e tij lidhur me kundërshtarin u shpreh: “Performanca e djemve është e mirë. Sa i përket kundërshtarit ata kanë qenë favoritë të grupit së bashku me Gjermaninë, por e jona ështè japim maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv. Natyrisht, do të jemi të matur, pasi kemi të bëjmë me një skuadër shumë të mirë, por do të insistojmë të marrim maksimumin e asaj që na jepet mundësia. Edhe pse kemi disa mungesa në formacion, besoj se lojtarët që i kemi do ta arsyetojnë pse janë të ftuar dhe pse e fillojnë ndeshjen”, tha Tovërlani.
Lojtarët gjithashtu kanë shprehur entuziazmin e tyre përpara kësaj ndeshje. Ata janë të vendosur të tregojnë vlerat e tyre në fushë dhe të japin më të mirën në fanellën dardane. “Stërvitjet kanë shkuar mjaft mirë. Jemi bazuar në lojërat e kaluara të Polonisë, i kemi analizuar ato dhe i kemi bërë detyrat tona siç është më së miri dhe besoj se kemi punuar mjaft mirë taktikisht që të dalim me rezultat pozitiv”, tha Milot Avdyli. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Veton Tusha, duke theksuar se skuadra është e bashkuar dhe e gatshme për këtë sfidë. “Do të luajmë në vendin tonë dhe është një emocion i mirë, pasi presim që të ketë shumë tifozë që do të na përkrahin dhe të arrijmë rezultat pozitiv. Gjithçka në stërvitje ka shkuar perfekt”, tha Tusha.
Hyrja në stadium për këtë ndeshje janë FALAS!