ALBIN TAHIRI
I kënaqur me paraqitjen
15 February, 2018 @13:35
Albin Tahiri ka përfunduar edhe garën e lëshimit në Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang2018.
“Po ndihem shumë mirë, ishte gara ime e veçantë e lëshimit dhe ditëlindja, po ashtu sot edhe koha ishte shumë e mirë dhe nuk mund të ishte keq”, tha Tahiri pas garës.
Ai komentoi edhe paraqitjen.
“Bëra një lëshim të mirë ashtu siç e paramendoja, nuk bëra ndonjë gabim, për çka mendova se isha më i shpejtë sot, mirëpo jam i kënaqur edhe kështu. Nesër është një garë e re, një shtegë i ri, një rast i ri, është super sllallomi i madh (super g) dhe do të shohim çfarë do të ndodh, unë do të mundohem të bëjë më të mirën”, shtoi përfaqësuesi ynë i vetëm në LOD PyeongChang 2018.
I kënaqur me paraqitjen e Albinit ishte edhe trajneri i tij, Agim Pupovci.
“Kjo është ajo që e kemi pritur, ndoshta ka mundur edhe 2-3 vende më mirë, por në përgjithësi jam i kënaqur me paraqitjen në këtë shteg, që vlerësohet mjaft i vështirë”, u shpreh trajneri i tij, Agim Pupovci.
Kjo garë ishte paraparë të mbahej më 11 shkurt, por shkaku i erërave të forta ishte shtyrë për sot.
Medaljen e artë e fitoi norvegjezi Aksel Lund Svindal.
Albini nesër garon në disiplinën, super sllallom të madh.