Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITOJNË SERINË FINALE DHE BËHEN KAMPIONË!

Istogu kampion! Bëhet anëtar i ri i Superligës

Ekipi i KB Istogut, anëtar i ri i Superligës 2023/24/ Foto: FBK

Istogu kampion! Bëhet anëtar i ri i Superligës


31 March, 2023 @23:32

Istogu ka arritur Superligën e Kosovës në basketboll. Ekipi i drejtuar nga trajneri Fikret Shatri, ka mposhtur edhe në ndeshjen e dytë finale skuadrën e Borës dhe me rezultatin 2-0 në serinë finale të PlayOffit të Ligës së Parë është bërë kampion i Ligës së Parë - dhe ka fituar të drejtën të bëhet ekip i elitës së basketbollit në Kosovë për stinorin 2023/24.

Pas fitores së shënuar në ndeshjen e parë, Istogu ka fituar edhe ndeshjen e dytë të zhvilluar sonte në palestrën Don Bosko në hyrje të Prishtinës, ndërsa pas çerekut të parë të kontrolluar mirë 14-23 troftat gjithashtu kanë kryer mirë edhe çerekun e tretë për të bërë dallimin dhe për të shkuar në fund te fitorja, Bora 81-94 Istogu [14-23, 26-21, 24-30, 17-20].

Fikret Shatri, trajner i KB Istogut

Arian Azemi ka shkëlqyer përsëri te Istogu. Lojtari në fjalë ka kryer ndeshjen me triple-double, duke shënuar 34 pikë, 11 asistime e 10 kërcime në fitore. Pos tij, me nga 14 pikë ndeshjen e kryen Labinot Kelmendi dhe Drilon Shala, derisa kapiteni Diamant Shabani ka dhënë 11 pikë e ka bërë 9 kërcime në këtë fitore të madhe dhe historike të istogasve.

Bora e drejtuar nga Arben Krasniqi u mundua mjaft për të çuar serinë në ndeshjen e tretë dhe vendimtare, por nuk ia doli. Dion Haxhosaj pati performancë tepër të mirë me 24 pikë e 16 kërcime, ndërsa Mërgim Jakupi dha 21 pikë tjera, që s’mjaftuan në fund për më tepër.

Istogu, Champion of Liga e Pare

Me fitore, Istogu bëri serinë 2-0 dhe siguroi Superligën. Ndërsa Bora do të ketë edhe një mundësi për Superligë duke luajtur duelin e PlayOutit me Ponte Prizrenin nga Superliga. Pas triumfit, Istogu ka ftuar të gjithë qytetarët të dalin në shesh në ora 00:00 për të pritur ekipin dhe trofeun e kampionit të Ligës së Parë si dhe për të festuar Superligën.

KB Istogu

Kujtojmë, Istogu gjatë gjithë stinorit nuk e ka pasur të lehtë arritjen, pasi që problemet me palestër i kanë ndjekur gjithmonë. Palestra e Istogut përkundër se u bë pas 15-vitesh punime me stërzhagitje, nuk është ndërtuar si duhet dhe çatia e saj sa herë të bie shi, pikon dhe lag thuajse tërë parketin, ndërsa uji gjithashtu depërton edhe në vende tjera të objektit.

Gjithsesi vullneti i madh i tyre nuk u shua me kaq, ndërsa ekipi shpesh gjeti si zgjidhje palestrën Adem Jashari të Klinës e ndonjëherë edhe Karagaçin e Pejës për të arritur te suksesi i madh.

 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga