PLAY OFF: BASHKIMI (F) - KASTRIOTI (F)
Kampionet me lehtësi në finale
6 April, 2019 @17:44
Kampionet aktuale të Ligës së Femrave, vashat e Bashkimit, me lehtësi e mposhtën Kastriotin edhe në ndeshjen e dytë të serisë me rezultat 96-49 dhe kështu u kualifikuan në finale.
Epërsinë prej dy pikëve në çerekun e parë, vashat e trajnerit turk Ahmet Saglik, e ngritën në 27 pas 20 minutave lojë [53-26].
Në pjesën e dytë të ndeshjes, kontrollin e kishte tërësisht skuadra nga Prizreni, ku pa problem për herë të dytë radhazi do të jenë në finale për ta mbrojtur titullin.
Te Bashkimi më e dalluara ishte amerikanja Danisha Shaw me 31 pikë, 7 asistime, 6 topa të vjedhur dhe 5 kërcime, derisa u ndihmua edhe nga Mari Stewart me 29 pikë, Gresa Gashi 12 dhe Vlera Vraniqi me 10 pikë të tjera.
Te Kastrioti të vetmet me pikë dyshifrore ishin Fjolla Ajeti dhe Agnesa Rrahmani. Ajeti luajti me 20 pikë e 8 kërcime, kurse Rrahmani me 18 pikë.
Bashkimi në finale do të takohet me fituesin nga dueli Prishtina - Penza, që rezultati aktual në seri është 1-0 në favor të Prishtinës.