VAZHDOJNË ME KAPITENIN

Kapiteni Gëzim Morina, +3 me Yllin
29 June, 2022 @14:00
Kampioni i Kosovës, KB Ylli, ka bërë të ditur sot se ka vazhduar kontratën me kapitenin e skuadrës, Gëzim Morina.
Kontrata e Gëzimit me ekipin kampion është vazhduar për tri vitet e ardhshme, që është gjë e rrallë në basketbollin kosovar, por edhe në ekipe evropiane.
“E fillojmë me kapitenin, djalin e këtij qyteti që ka ndjenjë të veçantë për këto ngjyra e për këtë ekip! Gëzim Morina është me ne edhe për tri vitet e ardhshme,” ka shkruar KB Ylli në njoftim, duke bërë të ditur se tash e tutje do të njoftojë zyrtarisht për të gjitha përforcimet tjera në ekip, duke nisur me kapitenin.
Kujtojmë, Ylli dje zyrtarizoi vazhdimin e kontratës me kryetrajnerin Adis Beciragic dhe ndihmësit e tij Endrit Elshani dhe Petrit Zeqiri, ndërsa në javën e kaluar falenderuan dyshen që u shkoi te Trepça, Mikaile Tmusic dhe Erjon Kastrati.
Ylli në dy vitet e fundit u bë dy herë kampion i Kosovës, që ishin edhe titujt e parë të skuadrës suharekase në basketbollin kosovar.