FITORE NË DEBUTIM!
Brruti i sjell fitoren e parë në debutim evropian Malishevës
11 July, 2024 @19:10
Emri i Etnik Brrutit do të duhej të jetë i shkruar me shkronja të arta diku në zyret e klubit të Malishevës. Mesfushori kreativ i ekipit, ka shënuar golin e parë zyrtar ndërkombëtar për FC Malishevën, ndërsa me këtë gol ka ardhur edhe fitorja e parë në debutim të ekipit në gara zyrtare të UEFA-së.
Malisheva ka shënuar fitore në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues për Ligë të Konferencës ndaj Buduçnostit podgoricas me rezultat minimal, Malisheva - Buduçnost 1-0 [Etnik Brrui 67’]. Goli erdhi pas një kombinimi të Hazrollajt dhe Soboëales në zonë, ndërsa Brruti që priste në vijë të 16-metërshit pranoi topin për të goditur pa pritur fare, bukur me të majtën në këndin e largët të epërm të portierit Mijatovic - për fitore!
Ndeshja në përgjithësi kaloi pa shumë raste, ndërsa Malisheva kishte pak më shumë në përqindje topin në posedim [MAL 53-47 BUD %]. Buduçnost nuk u tregua i rrezikshëm fort në këtë përballje, derisa pas përballjes në “Zahir Pajaziti” të Podujevës nisi festa në taborin e drejtuar me sukses nga Qëndrim Kida, që po vazhdon të jetë timonier me risi në futbollin e Kosovës.
Përballja e radhës, më 18 korrik në Podgoricë - ku Malishevës do t’i konvenojë edhe barazimi për të kaluar në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.