BALLKANI - PLZEN
Ballkani mposhtet nga Plzen në Tiranë, zvogëlohen gjasat për kualifikim
30 November, 2023 @20:39
Ndaj Plzenit çek, skuadër me mjaft përvojë në Evropë, Ballkani sonte u mposht 0-1, ndonëse zhvilloi paraqitje mjaft të mirë, sidomos në pjesën e parë.
Për shkak të situatës së turpshme me gjendjen e stadiumeve në Kosovë, ndeshja e sontme u luajt në “Air Albania” të Tiranës.
Në pjesën e parë Ballkani ishte më kërkues dhe pati rastet më të mira për shënim. Për t’u veçuar janë rasti i minutës 14’, kur mbrojtësi çek e shpëtoi portën e tij duke e larguar topin prej vijës fatale, e më vonë rast tejet të mirë pati Karrica në minutën e 36’, gjuajtja e të cilit u prit me mjaft mund nga portieri mysafir.
Në pjesën e dytë, Plzeni pati ngritje të dukshme të lojës dhe shtoi edhe rastet për shënim. E goli i çekëve erdhi në minutën e 81’, kur zëvendësuesi Sulc shënoi me kokë pas një topi të ardhur nga goditja e këndit. Te ky gol i pësuar duhet përmendur edhe dalja jo e menduar mirë e Enea Koliçit, që në përgjithësi u paraqit mjaft mirë sonte, por ishte në masë të madhe fajtor në golin e pësuar.
Pas golit të pësuar, Ballkani nuk arriti dot të reagonte dhe u detyrua të pajtohet me humbje minimale.
Në takimin tjetër të grupit sonte, Dinamo fitoi 0-2 në udhëtim te Astana.
Ndeshjen e fundit grupore në Conference League Ballkani e luan si mysafir i Dinamo Zagrebit më 14 dhjetor.
Me 15 pikë, Plzeni e kalon grupin si lider. 6 pikë ka Dinamo i vendit të dytë, kurse Astana e Ballkani kanë nga 4 pikë në pozitat 3 dhe 4.
Pra, shpresa për kalim tutje mbetet gjallë. Për ta kaluar grupin, Ballkanit i duhet ta mposhtë Dinamon në Kroaci në ndeshjen e fundit dhe të shpresojë që Astana nuk e mposhtë Plzenin, pasi që Astana qëndron më mirë se Ballkani në përballjet direkte mes tyre.
Pavarësisht se a i kalon apo jo grupet, me bindje mund të thuhet që paraqitjet e Ballkanit edhe këtë edicion të Konferencë Ligës ishin dinjitoze.