KOSOVA MBETET PA STADIUM!
“Fadil Vokrri” mbyllet, deri në renovim të plotë të fushës!
24 November, 2023 @23:58
Pas ndalesës së fundit të marrë nga UEFA-ja, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka kërkuar ndihmë financiare nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) për ta renovuar fushën e stadiumit.
FFK ka bërë të ditur sonte se fusha e stadiumit do të renovohet plotësisht dhe asnjë ekip e as kombëtarja e Kosovës nuk do të luajë ndeshje së paku deri në verë të vitit të ardhshëm.
“Pra, nga tani e deri në rinovimin e plotë, aktiviteti i futbollit në stadiumin “Fadil Vokrri” do të pushojë. Si rrjedhojë edhe ndeshjet miqësore të Kombëtares, të muajit mars, do të zhvillohen jashtë vendit,” ka bërë të ditur FFK-ja në njoftim.
Sot gjatë ditës u bë e ditur se Ballkani, kampioni i Kosovës, nuk do të mund të luajë ndeshjen e xhiros së pestë të Ligës së Konferencës ndaj Viktoria Plzenit në “Fadil Vokrri” pasi që fusha nuk plotëson kriteret për lojë!
Javën që e lamë pas, Kosova luajti dy ndeshje si vendas në “Fadil Vokrri” në kuadër të kualifikimeve për EURO-2024, ndaj Izraelit dhe së fundi ndaj Bjellorusisë. Pamjet nga stadiumi ishin zhgënjyese, ndërsa një futbollist i Izraelit kishte thënë pas ndeshjes se “fusha i ngjante shtallës së derrave.”
Ballkani do të luajë ndeshjen e fundit si vendas në kuadër të fazës grupore të Ligës së Konferencës në Tiranë, në “Arenën Kombëtare”. Nëse ekipi kampion i Kosovës siguron kualifikimin në fazën eliminatore të garës, ndeshjet gjatë pranverës, përsëri do të duhet t’i luajë jashtë Kosovës.
Shteti i Kosovës, aktualisht nuk ka asnjë stadium që i përmbush kriteret minimale të UEFA-së për ndeshje zyrtare të nivelit të lartë. Së fundi, Kosova U21 luajti si vendas në “Zahir Pajaziti” të Podujevës në kualifikime për EURO-2025.
“Federata e Futbollit e Kosovës dëshiron të njoftojë opinionin publik në lidhje me situatën e stadiumit “Fadil Vokrri” dhe vendimin e UEFA-s për mos zhvillimin e ndeshjeve në këtë stadium. Duke pasur parasysh situatën e krijuar të fushës, Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit, do të bëjnë renovimin e plotë të fushës në këtë stadium, investim ky i cili do të kryhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Presidenti Agim Ademi dhe ministri Hajrulla Çeku janë dakorduar për ta transformuar tapetin e këtij stadiumi në fushë hibride të nivelit më të lartë, teksa do të fillohet me punë që nga baza e fushës: drenazhimi, sistemi i ri i ujitjes si dhe për herë të parë kjo fushë do të ketë edhe sistemin e ngrohjes. Ky projekt do të sigurojë një fushë moderne, sikur në të gjitha arenat botërore të futbollit, e të cilën e meriton stadiumi ‘Fadil Vokrri’ dhe të cilën e ka kërkuar edhe UEFA,” sqaroi FFK.
Federata ka shprehur keqardhje edhe për ekipin kampion të Kosovës, Ballkanin.
“Me këtë rast shprehim keqardhje që Ballkani ndeshjen kundër Viktoria Plzen në Ligën e Konferencës do të jetë i detyruar ta luajë në ‘Air Albania’, por jemi të bindur se në të ardhmen më nuk do të ketë nevojë që klubet dhe kombëtarja jonë të luajnë larg tifozëve të vet, ngase përveç investimit në stadiumin “Fadil Vokrri”, tashmë kanë filluar edhe projektet e tjera, siç është stadiumi i qytetit në Gjilan dhe stadiumi ‘Adem Jashari”, derisa në të ardhmen e afërt pritet të realizohen edhe projekte tjera nga ana e ministrisë,” shpreson FFK-ja.
Federata kishte marrë në menaxhim stadiumin “Fadil Vokrri” nga Komuna e Prishtinës. Më pas FFK largoi nga detyra mirëmbajtësit që ishin, për t’i zëvendësuar me të tjerë. Situata e fushës nuk ndërroi, ndërsa kësaj radhe FFK fajet ia hodhi motit. Mirëpo, derisa ditë më parë njoftonte se nuk i kishte ndihmuar askush, e as shteti, për mirëmbajtjen e duhur të stadiumit, kryetari Ademi premtonte premi me “çek të hapur” për futbollistët në Basel, para ndeshjes ndaj Zvicrës!
Sidoqoftë, tashmë fusha është në gjendje të mjerueshme për tu parë, ndërsa premtimi është se e gjitha do të përfundojë deri në verën e ardhshme. Fatmirësisht, për shkak të përgatitjeve të kombëtareve për evropian, nuk ka ndeshje zyrtare kualifikuese e as të Ligës së Kombëve gjatë pjesës së parë të vitit 2024. Dhe për miqësore nuk do të jetë problem të luhen jashtë Kosove. Edhe rekord-kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, dje bëri të ditur se ndeshjet si vendas do të vazhdojë t’i luajë në stadiumin e kampit nacional të kombëtares, në Hajvali!
Mirëpo, prej gushtit 2024 gjithçka rinis. Në mes të gushtit nis stinori 2024/25 i Superligës, ndërsa prej shtatorit pritet Liga e Kombeve 2024/25. Mbetet të shihet se a do të jetë gati stadiumi “Fadil Vokrri” për ndeshjet kualifikuese të ekipeve që sigurojnë garat evropiane, që luajnë duelet në qershor të vitit 2024.
Kujtojmë, pas ndeshjes ndaj Rumanisë në qershor 2023 kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani kishte deklaruar se arsyeja që ekipi kombëtar atë natë nuk arriti rezultat ka qenë për shkak të fushës. Kosova nuk mundi ta zhvillojë lojën e vet, ndërsa ndeshja u mbyll 0-0. Cikli kualifikues vazhdoi në mënyrë mjeruese, ndërsa Kosova kreu grupin e parafundit.
“Megjithatë, e sigurojmë opinionin se stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i gatshëm për të mirëpritur ekipet kombëtare dhe klubet nga edicioni i ardhshëm,” premtoi FFK-ja.
Edicioni i ardhshëm për klubet që garojnë në gara evropiane nis në qershor 2024. Ndërsa edicioni i ardhshëm për ekipet në garat e FFK-së nis në gusht 2024. E për Kosovën, për Ligën e radhës të Kombeve në shtator 2024. FFK nuk ka bërë të ditur saktë për cilin edicion të ri të garave do të bëhet fusha e “Fadil Vokrrit” gati.