MEDIA
Kosova drejt “Eurobasket 2017”
22 October, 2015 @13:26
Që nga pranimi i Kosovës në FIBA në mars të këtij viti, në kualifikime kanë marrë pjesë ekipet U-16 dhe U-20.
Kurse, përfaqësuesja e Kosovës në basketboll (meshkujt) do të jetë pjesëmarrëse në kualifikimet për “Eurobasket 2017″.
Kjo është bërë e ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Leart Hoxha, shkruan Koha Ditore sot.
Ai është shprehur se tashmë FBK-ja ka marrë ftesën nga FIBA Europe, e cila deri në fund të këtij muaji do ta njoftojë edhe me procedurën për të aplikuar për pjesëmarrje në eliminatore për Kampionatin Europian të radhës në basketboll.
Shorti për grupet kualifikuese për Eurobasket 2017 do të hidhet më 22 janar të vitit të ardhshëm, 2016.
Sa i përket formatit të garave, një gjë e tillë ende nuk është përcaktuar nga FIBA Europe. Kësaj radhe mund që FIBA Europe të aplikojë sistemin e kualifikimeve që e bën FIFA dhe UEFA në futboll, ndërsa deri më tash në Europiane janë kualifikuar skuadrat që kanë garuar në Divizionin A, ndërsa Divizionet B dhe C kanë luajtur për t’u ngritur në A.