KOSOVA U16
Kosova U16 mposhtet edhe në ndeshjen e dytë
12 August, 2018 @21:35
Pas humbjes në ndeshjen e parë ndaj Çekisë, Kosova U16 u mposht edhe në ndeshjen e dytë ndaj Bosnjes, ndeshje e cila ishte e vlefshme për Kampionatin Evropian U16, Divizioni B, që po mbahet në Sarajevë të Bosnjes.
Diferenca në rezultat mes skuadrave u bë qysh në çerekun e parë, çerek në të cilin Kosova shënoi vetëm 3 pikë, ndërsa pësoi plot 32, e më pas djelmoshat boshnjakë pa probleme e menaxhuan vazhdimin e ndeshjes dhe takimin e mbyllën me fitore 58-115.
Më të dalluarit në këtë humbje të Kosovës ishin Albin Berisha me 16 pikë, 4 kërcime, 3 vjedhje të topit e 2 asistime dhe Donat Rexhepi me 11 pikë, 2 asistime e 1 vjedhje të topit, duke qenë lojtarët e vetëm me pikë dyshifrore te Kosova.
Ndeshjen e radhës Kosova U16 në kuadër të këtij evropiani e luan nesër me fillim nga ora 16:30 ndaj përfaqësueses së Bjellorusisë.