KOMUNIKATË
Alarm te Bashkimi!
7 August, 2018 @23:44
Lajm jo i mirë për Bashkimin dhe për gjithë basketbollin kosovar!
Përmes një komunikate për shtyp, kampioni në fuqi i Kosovës ka njoftuar që për shkak të borxheve të shumta, klubi mund të mos marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Superligës së Kosovës. Gjithashtu, Bashkimi mund të mos marrë pjesë as në BIBL (Ligën Ballkanike).
Komunikata e plotë:
“Mund të jetë përgjithësim i skajshëm, por nëse kampioni aktual i Superligës në basketboll, KB Bashkimi nga Prizreni, merret si mostër e menaxhimit të entiteteve sportive që operojnë sot në Kosovë, atëherë ky është një alarm i keq për të gjithë sportdashësit kosovarë. Siç është i njoftuar opinionit, para disa javësh KB Bashkimi ka ndërruar menaxhmentin dhe krejt çfarë ka trashëguar nga periudha e mëparshme është një listë e gjatë e detyrimeve të klubit, pa asnjë aset, qoftë edhe një laps i vetëm.
Për habinë tonë, totali i borxhit të klubit karshi firmave vendore nuk është ashtu siç është potencuar në mbledhjen e kuvendit, por më shumë se dyfishi i saj. Edhe borxhi karshi arbitrazhit ndërkombëtar (BAT) nuk është13 mijë siç na ishte kumtuar, por pesëfish më shumë. Një e pesta e borxhit është e formës së prerë, që do të thotë qe klubi duhet t’i paguaj patjetër deri me 14 gusht në mënyrë që të lejohet pjesëmarrja në gara brenda dhe jashtë shtetit. Dy raste janë në proces të gjykimit dhe pas kontakteve tona me autoritetet e arbitrazhit, na është kumtuar se të dy rastet do të fitohen nga ish- lojtarët e klubit Gruev dhe Shamadan.
Në dritën e kësaj gjendje, KB Bashkimi si kampion i Kosovës në Basketboll, pa një mbështetje institucionale, pothuajse e ka të pamundur të marr pjesë në garat e Republikës së Kosovës në basketboll, sikurse edhe në ligën Ballkanike, siç e kemi paralajmëruar pjesëmarrjen.
Ju kërkojmë falje simpatizuesve të qytetit, veçanërisht Arpagjikëve për këtë lajm jo të mirë. Edhe përkundër një fillimi premtues, ne mund të jemi të detyruar të tërhiqemi nga menaxhimi i klubit.
Fadil Sahiti, kryetar i KB Bashkimi, Prizren”