MË I MIRI I SUPERKUPËS 2022
Lejson Zeqiri — MVP i Superkupës
12 December, 2022 @0:47
Basketbollisti i Prishtinës, Lejson Zeqiri, zyrtarisht është zgjedhur si lojtari më i mirë i Superkupës së Kosovës në basketboll.
Zeqiri 21-vjeçar ka qenë standard në lojën e tij qysh prej duelit të parë të Superkupës ndaj Prizrenit, pastaj në gjysmëfinale ndaj Yllit, por edhe në finale ndaj Trepçës.
Basketbollisti 204-centimetra i gjatë në ndeshjen e parë ndaj Prizrenit luajti me 14 pikë, 3 asistime e 2 kërcime, në përballjen e dytë të Superkupës ndaj Yllit luajti me 16 pikë e 3 kërcime, ndërsa në finale shënoi 12 pikë e 3 kërcime për ekipin e tij.
“MVP i Superkupës është shpallur Lejson Zeqiri, çmim të cilin ia ndau Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku,” ka shkruar FBK-ja në njoftimin e lëshuar pas ndeshjes.
Kujtojmë, me këtë triumf të shënuar të dielën mbrëma, Prishtina ka fituar për të tetën herë Superkupën e Kosovës në basketboll, ndërsa ky ka qenë trofeu i fundit për këtë vit kalendarik që do të mund të merrte një skuadër.