Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NGA INFORMATORI NR. 2 I SUPERKUPËS

Për gjysmëfinale, Prishtina dënohet me 1000, Bashkimi e Trepça me nga 200 euro

Foto: FBK

Për gjysmëfinale, Prishtina dënohet me 1000, Bashkimi e Trepça me nga 200 euro


12 December, 2022 @17:55

Nuk kanë kaluar pa dënime as për ndeshjet gjysmëfinale, ndërsa pritet të shihen se cilat do të jenë edhe ato për finalen e Superkupës.

Pas dënimeve të shqiptuara për duelet çerekfinale të Superkupës, në Informatorin e parë të Superkupës, në publikimin e Informatorit të dytë të Superkupës janë dhënë dënime për Bashkimin, Prishtinën dhe Trepçën.

Bashkimit 200€, Trepçës 200€

Bashkimi dhe Trepça janë dënuar me nga 200 euro për gjysmëfinalen e luajtur ndaj tyre, sipas Nenit 49.10 të PG-së, që ndëshkon për hedhje/ndezje të mjeteve piroteknike në tribuna që vështirëson zhvillimin e ndeshjes.

Te sjelljet e shikuesve shkruan se shikuesit e KB Bashkimit kanë hedhur 1 bombolë dhe 2 petarda në drejtim të fushës së lojës, ndërsa ata të KB Trepçës kanë hedhur 4 bombola dhe kanë ndezur 4 fishekzjarre në publik.

KB Prishtina dënohet me 1 mijë euro

Ndërkaq Prishtina ka marrë dënim prej 1 mijë eurove sipas Nenit 49.16 të PG-së, ka bërë të ditur Informatori Nr. 2 i Superkupës. Neni 49.16 i PG-së thotë sjellje agresive, fyerje ndaj personave zyrtarë të FBK-së.

Te Informatori Nr. 2 në pikën shtesë, vërejtje, shkruan se Luan Maloku nga kryesia e Prishtinës ka kërcënuar gjyqtarët e ndeshjes në pushimin e pjesëlojëve të përballjes Prishtina-Ylli.

Përballjet e Superkupës së Kosovës përfunduan mbrëmë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve të Prishtinës, ku në finale Prishtina mposhti Trepçën duke e fituar trofeun e fundit në gara për këtë vit kalendarik.

Mirëpo, kjo ndeshje u përshkua me incidente të mëdha, për të cilat reaguan nga Ministria e Sportit, Këshilli për Parandalim dhe Sanksionim i Dhunës dhe Dukurive Negative në ngjarje sportive, KOK, etj.

Mbetet të shihet se si do të vendosë KG për ndeshjen finale, si dhe gjithashtu rezultatet nga mbledhja e KPSDhDN-së.


 
Të gjitha lajmet nga Superkupa e Kosovës