SUPERKUPA: PRISHTINA - TREPÇA
Për herë të tetë në histori, Prishtina fituese e Superkupës!
11 December, 2022 @20:00
Në sallën e zbrazur të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, pas gjesteve të turpshme të të dyja tifozërive në fundin e pjesës së parë, që e detyruan policinë ta zbrazë sallën, Prishtina e ka fituar finalen e Superkupës ndaj Trepçës. Kjo është hera e tetë në histori që Prishtina e fiton këtë trofe.
Finalen e sontme prishtinasit e fituan me rezultat 73-54.
Çereku i parë u mbyll 13-8 për Prishtinën, çerek ky që u përshkua me mbrojtje të mira të skuadrave. Në çerekun e dytë, gjithçka ishte e barabartë (15-15) dhe kështu skuadrat shkuan në pushim pranë rezultatit 28-23.
Pasi qëndruan rreth 1 orë në zhveshtore, me sallën që po zbrazej nga policia pas incidentit mes Plisave e Torcidës, lojtarët u rikthyen për ta luajtur pjesën e dytë në sallën e zbrazur.
E pas rikthimit në parket më e disponuar për lojë dukej të ishte Prishtina. Kryeqytetasit e fituan çerekun e tretë 24-14 dhe shkuan në çerekun e fundit me epërsi 15-pikëshe, 52-37. Më pas, çereku i fundit u menaxhua mirë nga Prishtina, që arriti ta mbyllë ndeshjen me fitore, për ta fituar kështu Superkupën e Kosovës për këtë vit.
Derrick Wilson (18 pikë) e Dustin Thomas (16 pikë) ishin koshashënuesit më të mirë të Prishtinë sonte, derisa u dallua edhe Lejson Zeqiri (12 pikë, prej tyre 4 treshe). Dardan Berisha ndeshjen e mbylli me vetëm 6 pikë.
Te Trepça, tre lojtarë patën pikë dyshifrore: Drilon Hajrizi (12) si dhe Ken Brown e Erjon Kastrati nga 11 secili.
Kujtojmë që Prishtina në finale erdhi pasi e mposhti Yllin në gjysmëfinale, kurse Trepça e mposhti Bashkimin.
Ndër të tjera, kjo ishte hera e parë që Prishtina e Trepça u takuan në finale të Superkupës së Kosovës.