CHRISTOS MARMARINOS
Marr përgjegjësinë për humbje! Do të bëj ndërrime në ekip
18 February, 2021 @23:17
Christos Marmarinos ka qenë jashtëzakonisht kritik për lojtarët në ndeshjen e humbur ndaj Luksemburgut sonte.
Ai ka marrë përgjegjësinë për këtë humbje, duke thënë se këtë nuk e ka problem, por dëshira e lojtarëve për të fituar dhe për të dalë nga vetja, për të dhënë më shumë sesa mesatarja - ka qenë jashtëzakonisht zhgënjyese për të.
“Gabimi është i imi. Nuk kemi qenë agresivë sa duhet. Disa lojtarë u munduan shumë, disa ishin jashtë lojës tërësisht,” ka thënë fillimisht greku, pas ndeshjes.
“U kemi dhënë opsione për të shutuar, u dhamë mundësi të shënojnë mjaft edhe nga gjuajtjet e lira. Nuk ishim agresivë dhe ishim të dobët në kërcime,” ka shtuar ndër të tjera ai.
“Si trajner unë nuk mund të shënojë pikë për ta, por mund t’ua krijojë pozicionin për të shutuar dhe t’i drejtojë kah fitorja,” ka vazhduar Marmarinos.
Për ndeshjen e radhës, vendimtare ndaj Sllovakisë ai ka bërë të ditur se do t’i ndërrojë minimum dy lojtarë nga 12-shja e sontme.
Bile ai ka shtuar se do të kërkon lojtarët që janë të gatshëm për të bërë gjithçka për vendin e tyre.
“Definitivisht do t’i fusim dy djemë të ri në ekip. Ne u munduam edhe për sonte t’i gjejmë lojtarët më të mirë, por disa nuk ishin fare në lojë,” ka shtuar ndër të tjera ai.
Ai ka vazhduar më tej duke thënë se Sllovakia është ekip më i mirë se Kosova, por brengoset se nëse një lojtar nuk është në gjendje të jep maksimumin e tij në një nivel si ky, për të luftuar për vendin e tij dhe për të shkuar tutje, përkundër rezultatit - është me të vërtetë brengosëse.
Sa i përket presionit për lojë, ai ka thënë se basketbollistët edhe për këtë ndeshje kanë pasur presion, por këtë janë munduar ta tejkalojnë përgjatë gjithë grumbullimit.
Kosova me humbje ndaj Luksemburgut sonte, ka regjistruar humbjen e tretë radhazi në grup, pas startit prej dy fitoreve.
Dueli ndaj Sllovakisë është vendimtar, por varet edhe nga loja tjetër.
Aktualisht Islanda është kualifikuar nga Grupi B parakualifikues, duke mposhtur Sllovakinë sot në Prishtinë, ndërsa tabela duket kështu.
TABELA GRUPI B:
1. Islanda 4-1
2. Luksemburgu 2-3
3. Sllovakia 2-3
4. Kosova 2-3.
Duelet e fundit të Grupit B parakualifikues zhvillohen në Prishtinë më 20 shkurt, ku Luksemburgu takohet me Islandën në ora 16:00, ndërsa Kosova ndaj Sllovakisë në ora 19:00.