PRISHTINA NUK GABON NDAJ FERONIKELIT'74
Me fitore Prishtina i bashkohet valles së kryesuesve
5 October, 2024 @23:47
Vonë në secilën pjesë Prishtina ka shënuar nga një gol për të siguruar fitoren ndaj Feronikelit’74 në ndeshjen e luajtur në “Bajram Aliu” si vendas për bardhekaltërit, pasi që “Fadil Vokrri” po ruhet për ndeshjet e reprezentacionit të Kosovës.
Prishtina mposhti Feronikelin’74 2-0 [Rigon Llugiqi 40’, Junior Ngatta 90’+4] në ndeshjen e varfër sa i përket rasteve, për shkak se fusha e lojës u rëndua nga shiu që kishte rënë në Skenderaj.
I riu Llugiqi i dha epërsinë Prishtinës kur u asistua nga Albin Krasniqi, ndërsa shutoi fortë në këndin e djathtë të poshtëm të portierit Marley Prince. Krejt në fund, debutuesi zëvendësues Junior Ngatta nga Bregu i Fildishtë vulosi fitoren e Prishtinës. Ai topin e pranoi nga Leotrim Kryeziu që në zonë u rrethua nga dy mbrojtës të ‘Niklit.
Greku i Feronikelit’74 Ioannidis krijoi rrezikun më të madh për portën e Prishtinës. Ai kishte super mundësi për shënim, kur dinakërisht nga gjysma e fushës pa Ardit Nikën të ketë dalë nga porta (61’), por goditja e tij përfundoi në rrjetën mbi transversalen e portës së Prishtinës dhe “vendasit” shpëtuan!
Prishtina për momentin është e treta në renditje me 13 pikë (me një ndeshje më pak të luajtur, 7), pikë këto që aktualisht i kanë edhe katër ekipe tjera në pjesën e epërme të tabelës. Feronikeli’74 mbetet i fundit në renditje me një pikë të vetme nga tetë ndeshje të luajtura.
DEKLARATA E TRAJNERIT:
Jean-Michel Cavalli: “Fituam. Kjo është me rëndësi. Ndeshje e vështirë. Feronikeli e fundit në tabelë, donte të tregonte që nuk i takon asaj pozite. Deri sa në pjesën e parë ishim mirë, në pjesën e dytë nuk doja të humbasim aq shumë topa, por do të duhej të shënonim më herët golin e dytë i cili megjithëse erdhi vonë, më gëzoi patjetër. Ndeshjen me Gjilanin më nuk dua ta përmend, duam të shohim përpara, i kemi dy javë pushim nga ndeshjet e Kombëtares të cilëve iu dëshiroj kualifikimin me gjithë zemër”.