Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MITROVICË

Mike Edwards arrin, Trepça blindon koshin

Mike Edwards arrin, Trepça blindon koshin


4 March, 2022 @20:42

Një tjetër përforcim, një tjetër cilësi e dëshmuar dhe jo në cilindo ekip, por atë rus - Dynamo Vladivostok.

Mike Edwards është lojtar i ri i Trepçës, ndërsa amerikani sot gjatë ditës ka arritur në Kosovë, ka mësuar TopSporti.com, derisa pritet që shpejt të debutojë te ekipi mitrovicas, që pas triumfit në Kupë të Kosovës gjatë muajit të kaluar - tashmë mund të thuhet se është favoriti kryesor edhe për titullin kampion!


Por, kush është Mike Edwards?

Amerikani 206-centimetra i gjatë së fundi ka qenë pjesë e elitës së basketbollit rus, një kampionat shumë i fortë, ndërsa vetëm dy ditë më parë Dynamoja ka zyrtarizuar largimin e tij, siç thuhet në njoftim, për arsye personale të lojtarit.

Së fundi, te Dynamoja e Vladivostokut, Edwards deri në fund të shkurtit ka luajtur 13 ndeshje aty, derisa ka pasur mesatare prej 22.2 minutash për ndeshje.

Alo-qendra ka përqindje të lartë shuti nga loja, 58.1% saktësi, ndërsa për tri pikë s’shuton shpesh, por ka përqindje ambicioze, me 38.7% të tentimeve të sakta.

Ai mestarisht ka shënuar 11.2 pikë për ndeshje, ka bërë 0.6 asistime, ndërsa ka regjistruar 6.2 kërcime për lojë. Sa i përket bllokadave, ai ka 0.4 bllokada për ndeshje.

Para se të shkojë në Rusi, Edwards ka qenë pjesë e kampionatit gjeorgjian, ku përgjatë stinorit 2020/21 ka luajtur për Dinamon e Tbilisit.

Aty ai ka pasur mesatare prej 28.4 minutash për ndeshje, ndërsa ka shënuar 15 pikë për ndeshje, 8 kërcime për ndeshje dhe 2 asistime për ndeshje.

Vetëm këto dy ekipe kanë qenë ekipet e tija në Evropë, derisa para kësaj ka qenë pjesë e NCAA për Georgia Bulldogs dhe St John’s Edge.

Basketbollisti 24-vjeçar pritet të jetë një super shtesë për trapezin e ekipit, që mëton të përforcojë edhe më shumë mbrojtjen e ekipit të drejtuar nga Lubomir Minchev.

Trepça që humbi finalen e Superkupës së Kosovës në fillim të sezonit dhe fitoi Kupën e Kosovës në muajin e kaluar, tashmë ka mbetur edhe në garë për titullin kampion, derisa është duke e ndjekur Yllin lider në renditje tabelare të stinorit të rregullt, duke pasur bilanc 14-6.

Nëse Edwards nuk do të mund të debutojë ndaj Rahovecit këtë fundjavë, për çfarëdo arsye, atëherë i pashmangshëm do të jetë debutimi i tij në përballjen derbi të xhiros së radhës, ndaj kampionit aktual dhe liderit të Superligës, Yllit.

 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga