MEDIA TALK

Ministria: FFK ka shkelur Ligjin për Sport
23 March, 2022 @0:43
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në një letër dërguar Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se vlerëson që FFK ka shkelur Ligjin për Sport me caktimin e 6 prillit datë për zgjedhjet për kryetar të Federatës.
Letra mban nënshkrimin e Bislim Bislimit, ushtrues detyre të Sekretarit të MKRS-së dhe i është drejtuar kryetarit të FFK-së Agim Ademi dhe ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të FFK-së, Taulant Hodaj.
Në letër thuhet se Ministria e Sportit nisur nga debatet e fundit ka kërkuar interpretim ligjor të argumentuar nga Departamenti Ligjor i MKRS-së, ku këta të fundit kanë konstatuar shkelje të dispozitave të Ligjit për Sport, kanë raportuar mediat mbrëmë.
“Sipas këtij opinioni/interpretimi të Departamentit Ligjor të Ministrisë së Sportit, me veprimet e fundit për rreth thirrjes së Kuvendit të FFK-së, nuk është respektuar Statuti i FFK-së dhe poashtu janë konstatuar veprime në shkelje të dispozitave të Ligjit për Sport.” - është thënë ndër të tjera në letrën e Sekretarit të MKRS-së drejtuar njerëzve kryesorë të FFK-së.
Kjo letër pritet të sjellë zhvillime të reja në betejën për kryetar të FFK-së, ku deri tash kandidaturat zyrtarisht kanë shpallur Agim Ademi dhe Gramoz Vokrri.
Në javët e fundit, Agim Ademi është vërshuar nga akuza të ndryshme si nga akterë brenda, ashtu edhe jashtë Federatës përkatëse.
“Ne shpresojmë se me gjithë debatet, në fund, tek të gjithë bartësit e përgjegjësive vendimmarrëse në FFK, do të mbizotërojë vullneti për avancimin e mëtejmë të objektivave për zhvillimin e sportit të futbollit në Republikën e Kosovës si dhe për të thelluar përpjekjet për zbatimin e programeve zhvillimore në këtë sport kaq masiv në vendin tonë,” - ka përfunduar letra e u.d. Sekretarit të MKRS-së, e datës 22 mars.