BASHKIMI - KERASANI
Morina e Biraj me triple-double, Bashkimi lehtë ndaj Kerasanit
17 April, 2018 @20:51
Dy ditë pasi u konfirmua zyrtarisht që Kerasani sezonin tjetër do ta luajë në Ligën e Parë të Kosovës në basketboll, sot skuadra prishtinase u mposht me rezultat 119-67 nga Bashkimi në Prizren.
Prizrenasit, të cilët në këtë takim erdhën pas humbjes në finalen e BIBL-së, duelin e sontëm e kaluan pa ndonjë problem, duke dominuar gjatë gjithë kohës dhe duke mos e vënë në dyshim fitoren për asnjë moment.
Sa i përket lojtarëve më të dalluar, Altin Morina e Qëndrim Biraj ranë më së shumti në sy sonte. Që të dy këta lojtarë arritën që ta mbyllnin këtë takim me triple-double të realizuar. Morina sonte luajti me 18 pikë, 12 kërcime e 14 asistime, kurse Biraj realizoi 13 pikë, 13 kërcime e 11 asistime. Përveç tyre, edhe 5 lojtarë tjerë të Bashkimit arritën pikë dyshifrore. Te Kerasani u veçuan Rron Beha me 18 pikë, 1 kërcim e 1 asistim dhe Almir Berisha me 17 pikë, 3 kërcime e 1 asistim.
Me Kerasanin tashmë të rënë nga kategoria, Bashkimi në anën tjetër ndodhet i qetë në vendin e dytë në tabelë.