PËRFORCIM SHTESË TE PRISHTINA
Nate Grimes - përforcon edhe më Prishtinën!
8 February, 2023 @20:02
Prishtina që aktualisht është lider e Superligës një javë para se të fillojë Kupa e Kosovës ka shtuar në skuadër edhe një lojtar të fuqishëm. Nate Grimes është basketbollisti i ri i skuadrës, ndërsa 26-vjeçari 203-centimetra i gjatë së fundi ka qenë pjesë e ekipit izraelit, Hapoel Eliat.
Grimes ka përvojë edhe nga ligat tjera evropiane të basketbollit, duke qenë se ka luajtur për ekipe si Mechelen, Kobrat dhe Gottingen. Së fundi në elitën e basketbollit izraelit ai ka pasur mesatare prej 18.2 minutash për lojë, ndërsa ka dhënë 5.7 pikë për ndeshje dhe 5.2 kërcime për lojë.
“Alo/qendra e fuqishme amerikane, Nate Grimes, shton edhe më shumë cilësi dhe centimetra në skuadrës. Amerikani Nate Grimes, 26 vjeçar, i cili luan në pozitat 4 dhe 5, është transferi më i ri i skuadrës sonë! Ai ka luajtur në elitat e shteteve si: Izrael, Gjermani, Belgjikë dhe Finlandë. Grimes gjatë gjithë karrierës ka luajtur me dyshifror të dyfishtë pikësh & kërcimesh. Është lojtar dominant si në sulm si në mbrojtje,” ka shkruar ndër të tjera KB Prishtina në njoftim.
Bardhekaltërit ende nuk kanë pësuar humbje në basketbollin vendor nën drejtimin e trajnerit të ri të tyre, Ahmet Kandemir. Kanë kryesimin në Superligë, ndërsa me Grimesin mëtojnë të rikthejnë edhe Kupën në kryeqytet. Prishtina do të ketë punë me Bashkimin në cerekfinale të Kupës, ndërsa nëse arrin gjysmëfinalen aty e pret fituesi i duelit Ylli-Prizreni.