Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PRISHTINA - PEJA

Ndeshje “me dy fytyra” në kryeqytet, Peja mposhtë Prishtinën

Foto: Altin Sahiti

Ndeshje “me dy fytyra” në kryeqytet, Peja mposhtë Prishtinën


16 January, 2022 @18:55

Derbi i sontëm mes dy rivalëve të vjetër të basketbollit kosovar, Prishtinës e Pejës, në fund u mbyll me fitoren e skuadrës pejane.

Ndeshja në fjalë ishte “me dy fytyra”. Peja dominoi totalisht në pjesën e parë dhe krijoi epërsi të thellë, por Prishtina u rikthye fuqishëm në pjesën e dytë dhe dhuroi fund mjaft interesant të përballjes.

Në fund, rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte 93-101 për Pejën.

Skuadra pejane ishte fantastike gjatë pjesës së parë dhe dominoi plotësisht. Fillimisht çereku i parë u mbyll 18-25, e më pas ai i dyti 13-32, për ta çuar kështu rezultatin e pjesës së parë në 31-57 në të mirë të pejanëve.

TABELA AKTUALE

Por, Prishtina nuk u dorëzua plotësisht dhe në çerekun e tretë luajti mjaft mirë (30-20), për ta ngushtuar rezultatin. Pas 30 minutave lojë, rezultati mes skuadrave shënonte 61-77.

Kryeqytetasit zhvilluan paraqitje fantastike edhe në çerekun e fundit dhe arritën ta ngushtonin rezultatin deri në 5 pikë, por në momentet më të vështira të skuadrës së tyre, Dardan Berisha e Arian Qallaku qëlluan saktë treshe vendimtare dhe Peja nuk lejoi përmbysje senzacionale dhe e mbylli ndeshjen me fitore 93-101.

Stephen Maxwell (34 pikë, 10 kërcime, 3 asistime) dhe Tyron White (32 pikë, 10 asistime, 5 kërcime) ishin fenomenal te Peja sonte, ndërkohë që paraqitje të mira pati edhe Dardan Berisha (25 pikë, 5 kërcime, 3 asistime).

Te Prishtina, Kenny Brown (25 pikë, 4 asistime, 1 kërcim) dhe Wendell Mitchell (23 pikë, 13 kërcime e 5 asistime) ishin më të dalluarit. Përveç tyre, pikë dyshifrore te Prishtina patën edhe Dachon Burke (14) dhe Lejson Zeqiri (10).

Kjo ishte përballja e tretë mes këtyre dy skuadrave në këtë sezon të Superligës. Dy prej tyre i ka fituar Peja, kurse njërën e ka fituar Prishtina.

Me këtë fitore, Peja ka një pikë më pak se lideri Ylli, kurse Prishtina për momentin është e katërta në renditje.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga