XHIROJA XIII
Nesër, ditë basketbolli
14 December, 2013 @19:14
Trepça dhe Sigal Prishtina do të hapin xhiron e XIII të Superligës së Kosovës në basketboll, në Malishevë, ku Trepça po i luan ndeshjet si vendas në mungesë të palestrës Minatori, që po renovohet.
Ekipi i udhëhequr nga tekniku spanjoll, Israel Martin, Trepça përkundër se ka humbur thellë nga Sigal Prishtina në ndeshjen e ciklit të parë, pret rezultat së paku më të mirë, e pse jo edhe befasi.
“Shikoni, unë jam shumë i lumtur me këta djelmosha. Nëse kihet parasysh ku po stërvitemi dhe çfarë rezultate po arrijmë - kjo është thjeshtë sukses i madh i tyre. Me Prishtinën do të luftojmë sa mundemi,” kishte thënë Martin pas fitores së madhe sipas tij në Prizren ndaj Bashkimit xhiron e kaluar.
Trepça pas 12 xhirove ka të regjistruara 7 fitore, krahas 5 humbjeve, dy prej të cilave të papritura - ndaj Kastriotit dhe Dritës.
Në anën tjetër, Sigal Prishtina me fuqinë e saj të sivjetshme vështirë që do të mund të mposhtet nga ndonjë ekip përveç Pejës dhe po llogarit në fitore ndaj mitrovicasve.
Ata kanë pasur seri perfekte në Superligë, para humbjes ndaj Pejës në Karagaç. Por, pikërisht Peja ka pasur telashe në ndeshjen e fundit ndaj Trepçës në Malishevë, duke u nxjerrë me fitore vetëm në saje të lojës më të mirë në çerekun e fundit.
Sidoqoftë, përkundër se Sigal Prishtina është favorite, Trepça pritet t’i shkaktojë telashe sipas mundësive në ndeshjen e tyre të nesërme që nis në ora 16:00.
RTV 21 - Bashkimi
Sa i përket ndeshjeve tjera, interesant pritet të jetë edhe dueli ndërmjet RTV 21 dhe Bashkimit në palestrën 1 tetori të Prishtinës. Ekipi i Arben Krasniqit ka hyrë në një seri të humbjeve dhe nuk po këndellet assesi. Derisa Bashkimi ka radhazi dy humbje të regjistruara, si befasi ndaj Kastriotit dhe një tjetër ndaj Trepçës.
Për prizrenasit pritet të debutojë edhe transferi i ri i tyre, përforcimi amerikan nga Teodo, Darrell Lampley. Bashkimi gjithashtu ka në pikëpyetje fundorin fenomenal, Josip Blajic, që ka të lënduar këmbën dhe nuk dihet nëse do të jetë 100% i gatshëm për ndeshjen e nesërme.
Kastrioti - Besa
Kastrioti-Besa, dueli i të ardhurve sivjet në Superligë është gjithashtu një ndeshje ku fituesi pritet të përcaktohet në fund të ndeshjes, përkundër se Besa kërkon fitoren e dytë ndaj ferizajasve në stinor. Por Kastrioti pas dy befasive në stinor, Trepçës dhe Bashkimit, kërkon edhe të tretën.
Drita - Peja
Ndeshja tjetër Drita-Peja pritet të jetë një punë e lehtë për kampionen e Kosovës, pasi që ata që prej fitores ndaj Sigal Prishtinës në Karagaç kanë hyrë në një seri të fitoreve si në Superligë ashtu edhe në Balkan League, ku Samir Shaptahovic po shkëlqen, bashkë me Fred Housein.
Rezultatet e deritashme dhe tabela aktuale.
XHIROJA XIII E SUPERLIGËS, Nesër:
16:00 - Malishevë | Trepça - Sigal Prishtina | Gjyqtarë: Daut Mehmeti, Fisnik Ramadani dhe Isa Prebreza; | Ndeshjet e deritashme: TRE-PRI 0-1 |
18:00 - Gjilan | Drita - Peja | Gjyqtarë: Azem Hoxhaj, Astrit Kasapolli dhe Ilhan Xhaka; | Ndeshjet e deritashme: DRI-PEJ 0-1 |
19:00 - Ferizaj | Kastrioti - Besa | Gjyqtarë: Mehdi Gashi, Atdhe Goçaj dhe Arben Elshani; | Ndeshjet e deritashme: KAS-BES 0-1 |
19:15 - Prishtinë | RTV 21 - Bashkimi | Gjyqtarë: Faton Kurshumliu, Hektor Grezda dhe Edmond Raça; | Ndeshjet e deritashme: RTV-BAS 0-1 |