Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LIRIA RRESHTON FITORET

Nikqi përsëri vendimtar, Liria barazon pikët me Drenicën lidere

Foto: FCLiria/ fb

Nikqi përsëri vendimtar, Liria barazon pikët me Drenicën lidere


25 April, 2025 @19:31

Liria ka kaluar edhe një derbi suksesshëm. Nën drejtimin e Leotrim Krasniqit, ekipi i njëjtë i Lirisë që s’tregonte rezultate të mira në vjeshtë, ka marrë krejt pamje tjetër në pranverë.

Dijar Nikqi përsëri është treguar vendimtar. Ai ka pranuar top nga thellësia në zonë, ndërsa me veprim të bukur ka kaluar portierin dhe pa pritur ka goditur me volej për të shënuar në portën e Afrim Ademit në fillim të pjesës së dytë. Ka qenë i mjaftueshëm ky gol për fitoren e Lirisë 1-0 ndaj Trepçës [Dijar Nikqi 47’].

Në pjesë të parë, Trepça u tregua pak më e rrezikshme me raste, por jo sa për të bërë dallimin, derisa Liria më shumë tentonte nga krosimet. E fillimi i pjesës së dytë bëri dallimin! Kujtojmë, Nikqi kishte qenë vendimtar edhe në derbi ndaj Vëllaznimit!

TABELA AKTUALE

Më pas Liria mori ecurinë e mirë dhe shënoi edhe njëherë përmes Engjëll Ajazajt, por goli i tij u anulua më vonë, pas shikimit të situatës nga VAR! Deri në fund të ndeshjes prizrenasit arritën të menaxhojnë mirë ndeshjen karshi ekipit të Edi Martinit për të fituar tre pikë të reja.

Me këto tre pikë, Liria me një ndeshje më shumë ka pikë të njëjta me Drenicën lidere. Pas 24 ndeshjesh Liria ka 46 pikë dhe është e dyta në renditje. Trepça mbetet e pesta dhe tashmë shuan gjasat për barazh drejt Superligës.

Kujtojmë, fituesi i Grupit A të Ligës së Parë siguron Superligën direkt, ndërsa vendi i dytë luan dy ndeshje barazhi, ku i duhen dy fitore, për të arritur Superligën.

11-shet startuese: Liria-Trepça


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë