BILETAT

Një ditë para ndeshjes, FFK-ja hedh në shitje biletat në qytetet tjera
23 March, 2022 @11:12
Të premten e kaluar, FFK-ja bëri të ditur se të hënën më 21 mars do të nis shitja e biletave online për ndeshjen Kosova - Burkina Faso, që do të zhvillohet më 24 mars.
Të hënën, më 21 mars, kjo gjë nuk ndodhi. Ndërsa të martën më 22 mars, FFK bëri të ditur se biletat do të dalin në shitje fizikisht te dy dyqanet e sponsorit të Superligës, në Prishtinë.
Pas kritikave që mori lidhur me këtë opcion të shitjes, që nis në ora 13:00, FFK-ja mbrëmë ka bërë të ditur se sot prej orës 13:00 do të nis shitja e biletave edhe në qytetet tjera të Kosovës, një ditë para ndeshjes.
Kështu, Peja, Gjakova, Prizreni, Gjilani, Ferizaji, Vushtrria, Mitrovica dhe Podujeva - do të ketë në shitje prej sot pas mesdite biletat për ndeshjen e nesërme, që i bie pak më shumë se 24 orë para ndeshjes.
Kosova pret Burkina Fason në përballjen e parë miqësore të vitit 2022 të enjten më 24 mars me fillim prej orës 18:00 në Fadil Vokrri të Prishtinës.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se shitja e biletave për ndeshjen miqësore Kosova – Burkina Faso, krahas dy pikave të shitjes së kompanisë “Artmotion” në Prishtinë, sot do të fillojë edhe në pikat e kësaj kompanie në 8 qytet tjera në: Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë, Pejë dhe Prizren. Shitja e biletave në këto qytete fillon në orën 13:00. Miqësorja Kosovë-Burkina Faso, do të zhvillohet të enjten, më 24 mars në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”. — ka bërë të ditur FFK-ja në njoftimin e saj.
Çmimi:
Çmimet e biletave janë sikurse në ndeshjet e kaluara: Veri dhe Jug 5 euro, Lindje 10 euro, Perëndim 20 euro dhe VIP 80 euro. |