GERTI SHIMA
Nuk na lejohen gabimet
17 May, 2016 @10:29
Basketbollisti shqiptar i Sigal Prishtinës, Gerti Shima, ka thënë se ekipi i tij luan gjithmonë për fitore, mirëpo kësaj radhe nuk i lejohet të gabojnë për shkak të rëndësisë së ndeshjes dhe beson që në saje të publikut bardhekaltërit do ta arrijnë fitoren.
“Normalisht se është sfidë e vështirë si çdo finale, nuk është se kemi kohë shumë për përgatitje, dihet se çfarë rëndësie ka kjo ndeshje. Do të japim maksimumin si në çdo lojë dhe jemi në fushën tonë, nuk na lejohen gabime. Forca e Prishtinës është në çdo lojë si në Pejë si në Prishtinë, këtu luajmë përpara publikut tonë dhe duhet ta shfrytëzojmë mirë këtë gjë. Ky është sporti, ka edhe befasi. Ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë dhe në qoftë se ia dalim, dihet që edhe fitorja do të vijë për Prishtinën,” ka thënë Shima për faqen zyrtare të FBK-së, basketbolli.com.
Peja është në epërsi 2-1 ndaj Prishtinës dhe me fitore eventuale sonte do të bëhet kampione e Kosovës. Mirëpo, Prishtina kërkon që të barazojë serinë në 2-2 dhe të luftojë në ndeshjen e fundit të serisë për titull.
Shima në ndeshjen e fundit të serisë të zhvilluar në “Karagaç” ka qenë ndër më të dalluarit te ekipi i tij, duke regjistruar double-double prej 10 pikëve dhe 10 kërcimeve.
Ndeshja luhet sonte prej orës 19e30 në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve”.