GRANIT RUGOVA
Optimist edhe për duelin tjetër
29 April, 2016 @13:11
Ish basketbollisti i Sigal Prishtinës, Granit Rugova, mbrëmë ka qenë më meritor në fitoren e Bashkimit ndaj ish ekipit të tij.
Rugova ka pasur paraqitje të palodhshme brenda 50 minutave lojë sa u desht që të përcaktohet fituesi i ndeshjes së dytë të serisë gjysmëfinale Bashkimi 88-86 Prishtina.
Ai nuk u pushua për asnjë moment në ndeshje nga trajeri i prizrenasve, Petar Mijovic.
Plotësisht e merituar
“E merituam të fitojmë dje. Luajtëm dhe dhamë më shumë se maksimumin tonë në këtë ndeshje, përkundër faktit se luajtëm me 6 lojtarë,” ka thënë fillimisht Rugova në një prononcim të tij dhënë ekskluzivisht për Borozani.com sot, një ditë pas fitores.
“Ne nuk e kursyem aspak veten dhe luajtëm me zemër deri në fund të ndeshjes. Mundi dhe angazhimi u shpërblyen në fund me fitore, ndërsa kemi ekip të madh në zemër dhe bashkë besoj që do të vazhdojmë,” ka shtuar ai.
Optimist edhe për ndeshjen e tretë
Sa i përket ndeshjes së radhës, që pritet të zhvillohet të dielën në “Sezai Surroi” të Prizrenit, Rugova është shprehur optimist.
“Jam tepër optimist edhe për ndeshjen e radhës,” ka thënë ai për Borozani.com në fund.
Rugova (30 vjeç) mbrëmë luajti me 24 pikë, 6 kërcime e 4 asistime në fitoren e Bashkimit, ndërsa në momentet vendimtare ai nuk gaboi në tentimet e tija.
Bashkimi ka befasuar Sigal Prishtinën mbrëmë në “Sezai Surroi” duke e barazuar serinë gjysmëfinale në 1-1. Ndeshja ka përfunduar baraz dhe është dashur të luhen edhe dy herë vazhdimet nga 5 minuta për të nxjerrë fituesin e ndeshjes.
Në finale kualifikohet skuadra që së pari arrin 3 fitore. Ndeshja e radhës luhet në Prizren, ndërsa dy të tjerat (e fundit në rast nevoje) në Prishtinë.