TORCIDA TE MINATORI
Pas 4 viteve, kthehen në fole
4 March, 2016 @21:44
Data e 3 qershorit të vitit 2012 ka qenë përballja e fundit që Trepça kishte zhvilluar në “Minatori”.
Atë natë, në krye me Drilon Hajrizin dhe Jaleel Nelsonin Trepça kishte mposhtur Sigal Prishtinën për të barazuar serinë e finales së Play-Offit në 2-2, për ta fituar titullin kampion në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” në Prishtinë disa ditë më pas.
Hajrizi, që është aktualisht njëri ndër basketbollistët më të mirë që ka Kosova, atëherë në një bisedë me Borozani.com e pat quajtur inkubator “Minatorin” dhe mezi priste të rikthehet aty, para se të kalonte te Peja.
Sidoqoftë, kaluan katër vite gati të plota dhe gjelbër-e-zinjtë pritet t’ia nisin lojës në “Minatori” dhe atë pikërisht kundër rivalit të përbetuar, Sigal Prishtinës, më datë 12 mars 2016, për kur është përcaktuar ndeshja e radhës në kuadër të Superligës.
“Nuk janë vetëm Torcidat që do të jenë në palestër, por edhe adhurues të sportit pritet të jenë shumë aty, pas gjithë kësaj pritjeje,” ka thënë Arian Tahiri, playmaker i Trepçës për faqen zyrtare të FBK-së sot.
“Ky është momenti për mobilizim të të gjithëve dhe ndërtimit të një skuadre të fortë dhe të denjë për të luftuar për trofe. Mitrovica e meriton një gjë të tillë,” ka thënë ai.
Trepça do ta pret Sigal Prishtinën në “Minatori” në kuadër të xhiros XXIII të Superligës së basketbollit. Ndërsa sa i përket ekipeve, aty do të debutojnë hendbollistët e Trepçës, që do të luajnë ndaj Drenicës aty javën që vjen.