I KTHEHEN FITORES
Pas 5 humbjesh, Abdul e Sadriu kthejnë Ferizajin te fitorja
4 October, 2024 @22:40
Ekipi i Arsim Abazit i ka dhënë fund serisë negative në Superligë prej pesë humbjeve radhazi, duke arritur të mposhtë të premtën pasdite ekipin e Dukagjinit si vendas.
Skuadra bardhekaltër ka shënuar golat në pjesë të parë të ndeshjes për të siguruar fitoren, ndërsa ka qenë Abdeen Abdul që ka kontribuuar me gol dhe asistim në këtë fitore, Ferizaji - Dukagjini 2-1 [Abdeen Abdul 21’, Edon Sadriu 45’+1 - Altin Mërlaku 83’].
Në golin e parë një tentim asistimi i gjatë i Ardit Topalajt dhe një gabim i mbrojtësit vendas, bënë që Abdul të shënojë lehtë nga afërsia për epërsi, kurse kapiteni Edon Sadriu pranoi top të bukur nga Abdul, që rrëzoi mbrojtjen e mysafirëve, për 2-0.
Në pjesë të dytë edhe pse Dukagjini tentoi disa herë, ka qenë vetëm Mërlaku që ka arritur të tund rrjetën e Filip Jovanovskit, pas asistimit të Elton Basriut, ndërsa porteri i ferizajasve Jovanovski ka shpëtuar në fund skuadrën e tij, kur goditja e fortë e mysafirëve u ndalë!
Ferizaji me këtë fitore del pikërisht mbi Dukagjinin në renditje, duke dalë nga zona e rrënies në zonë të barazhit, ndërsa e mbyll xhiron e tetë të Superligës në pozitë të tetë me 7 pikë, një më shumë sesa Dukagjini që është i parafundit në tabelë.