SUPERKUPA
Peja apo Sigal Prishtina?!
18 September, 2013 @15:42
Vetëm tre muaj nga përballja e finales së Play-Offit, kur Peja pat shkatërruar Sigal Prishtinën duke e mposhtur në seri 3-0 për të arritur te titulli i shumëpritur i kampionit, vjen koha e ritakimit.
Sigal Prishtina, fituese e Kupës së Kosovës në Prizren, ku në finale mposhti Pejën favorite pret kampionen e Kosovës, Peja. Ndeshja e Superkupës luhet nesër mbrëma, por skuadrat tashmë janë shumë më ndryshe se ç‘kanë qenë.
Peja: Plaku që e bëri kampion Pejën, Rudolf Jugo, është zëvendësuar nga i riu Danijel Lutz. Me një energji krejt tjetër, Lutz, ka sjellë në Pejë tre të huaj, njëri prej tyre me tepër përvojë. Vedran Morovic, Frederick House dhe Geore Odufuwa. Ka ardhur edhe Endrit Hysenagolli nga Shqipëria, pastaj edhe Mirza Ahmetbasic. Pa harruar Drilon Hajrizin.
Sigal Prishtina: Ahmet Kandemir pas fitores në Kupë, dështoi në rrugë për titull. Shkoi në Besiktas dhe la një shok të tij të udhëheq Prishtinën. Ceyhun Çabadak është i ri dhe nuk ka përvojë shumë, por punon shumë. Të huajt erdhën kryesisht me direktivat e Kandemirit, si Tay Waller e Aurimas Kieza. Pastaj në fund si zgjidhje urgjente dolën edhe Kendrick Jones dhe K’Zell Wesson. Te vendorët Sigal Prishtina përsëri veproi me urdhërat e Kandemirit. Ribashkoi Alban Veselin e Pejës me Fisnik Rugovën e Prishtinës. Dardan Berisha zgjodhi vetë Sigal Prishtinën, ashtu si Blerim Mazreku. Kthyen Muhamed Hasanin nga huazimi dhe u kompletuan.
Gjëja më e mirë është që, për adhuruesit e njëmendtë të basketbollit, Sigal Prishtina dhe Peja nuk do të luajnë nesër mbrëma ndeshjen e fundit, por të parën për stinorin që vjen. Për më shumë kësaj radhe do të na sjellin edhe luftë ndërkombëtare javë pas jave. Kështu që fituesi i nesërm do të çojë kupën dhe do të sjellë gëzim te adhuruesit, por edhe humbësi do të ketë rast për revansh.
Nesër është vetëm fillimi i një beteje SPORTIVE, që shpresojmë të mos ketë fund dhe të vazhdojë së zhvilluari gjithnjë e më shumë.
FAKTE:
Buxheti i dy klubeve bashkë është afër 1 miliionë eurove | |||
Edhe krerët e Balkan League janë të interesuar për të parë nga afër ndeshjen dhe nesër mbrëma do të jenë në Palestrën 1 Tetori. | |||
Ndeshja fillon prej orës 20:00 dhe do të quhet Salmander Superkupa e Kosovës për shkak të sponsorit të ri. |