FT: VËLLAZNIMI - PEJA

Peja deklasohet në Gjakovë nga Vëllaznimi
28 February, 2021 @20:21
Vëllaznimi ka shënuar fitore shumë më të lehtë se sa që ka pritur në ndeshjen e sotme kundër Pejës, e cila ishte edhe ndeshja e fundit e xhiros XXI në Superligë.
Djelmoshat e trajnerit Branimir Pavic, pas fitores kundër Sigal Prishtinës, shënuan edhe një fitore tjetër shumë të rëndësishme duke e mposhtur Pejën me rezultat të thellë 82-63.
Pejanët ishin rivalizues vetëm gjatë çerekut të parë, por më pas me largimin e Dardan Berishës nga ndeshja për shkak të një lëndimi, gjithçka ndryshoi në favor të gjakovarëve.
Verdhezinjtë u treguan krejtësisht të shpërqëndruar në lojë dhe me gabime të shumta në sulm dhe lojës së dobët në mbrojtje, lejuan kundërshtarin që të shkëputet në rezultat për të siguruar fitoren e lehtë.
Ty Nichols ishte më i miri në ndeshje te Vëllaznimi me 25 pikë, derisa Emmanuel Omogbo dhe Cendric Council luajtën me double-double.
Te Peja u dallua Brandon Walters me 17 pikë dhe 17 kërcime, si dhe Laron Dendy me 19 pikë.
Për pejanët në këtë ndeshje nuk u paraqit as Beqë Kovaqi, derisa Leonard Mekaj edhe pse i rikthyer në formacion, nuk pati hapësirë për lojë.