PEJA - PRISHTINA

Peja e renovuar njofton Kandemirin me humbje
12 February, 2023 @19:18
Pas 6 fitoreve radhazi në Superligë që nga ardhja e Ahmet Kandemirit në krye të skuadrës, sonte Prishtina u mposht nga Peja në “Karagaç”.
Pejanët, që së fundi e kanë renovuar dukshëm skuadrën, takimin e sontëm e fituan me rezultat 74-72.
Ndeshja filloi mjaft mirë për Pejën, që çerekun e parë e mbylli 28-18. Prishtina ishte pak më e mirë në çerekun e dytë, por edhe ky çerek u fitua nga pejanët (19-18), dhe kështu skuadrat shkuan në pushim pranë rezultatit 47-36.
Më pas, Prishtina e fitoi çerekun e tretë 14-19, për ta ngushtuar rezultatin në hyrje të çerekut vendimtar. Megjithatë, pejanët nuk lejuan përmbysje dhe e menaxhuan mirë çerekun e fundit, për ta mbyllur ndeshjen me fitore. Vlen të përmendet që ndeshja u ndërpre për pak kohë në çerekun e katërt, me gjyqtarët që vendosën ta zbrazin sallën në Pejë, gjë që po ndodhë në shumë ndeshje të Superligës këtë sezon.
Te pejanët sonte debutuan 3 përforcimet e fundit: Larry Thomas, Marwin Jefferson dhe David Joseph. Prej tyre sonte u veçua Joseph, i cili e mbylli takimin me 18 pikë. Më shumë pikë se ai te Peja sonte shënoi vetëm Jalen Tate (19).
Sa i përket Prishtinës, më të veçuarit te kjo skuadër sonte ishin Derrick Wilson (23 pikë) dhe Dardan Berisha (22 pikë).
Humbja e pësuar sonte bën që Prishtinës t’i rrezikohet kreu, i cili do t’i kalojë Yllit, nëse ky i fundit fiton sonte ndaj Rahovecit. Ndërkohë, Peja është në vendin e tretë për momentin.