F4: PEJA - TREPÇA
Peja fiton dhe barazon serinë, kampioni vendoset në “Minatori”
14 May, 2023 @19:36
Fitore e Pejës në “Karagaç” dhe barazim i serisë në 2-2!
Duelin fantastik mes Pejës dhe Trepçës e fitoi skuadra vendase me rezultat 87-83, për ta barazuar serinë finale në 2-2.
Peja ishte më e mirë se Trepça në 3 çerekët e parë (30-26, 23-22, 18-17), ndërkohë që mitrovicasit ishin më të mirë në atë të fundit (16-18) dhe e rrezikuan fitoren pejane deri në fund. Megjithatë, pejanët nuk lejuan përsëri përmbysje si në ndeshjen e kaluar dhe e mbyllën takimin me fitore.
Jalen Tate me 27 pikë ishte bindshëm më i miri te Peja sonte, kurse te Trepça u veçua Drilon Hajrizi me 24 pikë.
Kështu, seria tash është barazuar në 2-2 dhe kampioni i Superligës për këtë sezon do të kuptohet pas ndeshjes së pestë, e cila zhvillohet pas 3 ditëve (18 maj) në “Minatori” të Mitrovicës.
Ndeshja u karakterizua me momente dramatike për vendasit, kur Trepça mori epërsinë rreth 2-minuta para fundit të ndeshjes. Mirëpo, një luftë e madhe nën kosh pas mosarritjes së shënimit nga gjuajtja e lirë prej Larry Thomas.
Ai mori topin, provoi përsëri, nuk shënoi. Kësaj radhe kërceu Waldow për të rimarrë topin në pronësi të pejanëve, ku pas qarkullimit të shpejt përfundoi në dorën e Jalen Tate që dha tresh, për 82-80.
Në minutat e mbetura Erjon Kastrati afroi rezultatin në 84-83, por më tepër s’arritën të bëjnë dhe dueli përfundoi me rezultat 87-83!
Tate me 27 pikë ishte koshashënuesi më i mirë i Pejës në ndeshje, ndërsa ëaldoë kreu lojën me double-double prej 14 pikësh dhe 10 kërcimesh. Alban Veseli shutoi 4/6 për tri pikë, për të kryer lojën me 13 pikë të shënuara, derisa pejanët Arti Hajdari e Arian Qallaku - bashkë dhanë 6 pikë.
Trepça, pati paraqitje tepër të fortë në Karagaç me Drilon Hajrizin e jashtëzakonshëm në ndeshjen e katërt. Ai ishte më i miri i ndeshjes statistikisht (PIR-27), ndërsa dha 24 pikë, 6 kërcime e 2 asistime bashkë me 2 topa të rrëmbyer, me saktësi shuti prej 66% nga loja e 100% për gjuajtjet e lira.
Erjon Kastrati dha 13 pikë, njëjtë edhe Kendrick Brown. Mikaile Tmusic i gjithanshëm me 10 pikë, 5 asistime e 8 kërcime, ndërsa qendrat Andrew Gordon e Will Daniels u ndalën, ku bashkë dhanë 9 pikë.
Ndeshja e pestë dhe vendimtare e serisë - të enjten në Minatori - ku vendoset fituesi i titullit kampion të Kosovës për stinorin 2022/23.