GRUPI A I KUPËS SË KOSOVËS
Peja-Kalaja, zhvillohet në Prizren
18 December, 2017 @15:23
Përmes një njoftimi të botuar në faqen zyrtare të ekipit në Facebook, ekipi i KB Kalaja, ka bërë të ditur se ndeshja e Kupës së Kosovës Peja-Kalaja do të zhvillohet në Prizren dhe atë të mërkurën më 20 dhjetor me fillim në ora 18:30.
Kalaja ka eliminuar Sferën dhe Istogun së fundi në kuadër të Grupit A në Kupë të Kosovës dhe tash në të tetën e finales e pret Peja.
Mirëpo, pasi që palestra Karagaç është e ngarkuar me ndeshje tjera ekipi verdhezi nga Peja ka kërkuar që ndeshja të zhvillohet në Prizren, në palestrën Sezai Surroi, gjë që është pranuar nga ekipi prizrenas.
Kështu, Peja, e cila është në krizë financiare dhe aktualisht po luan me basketbollistë juniorë do të luajë ndaj Kalasë në formë, që bën gara në Ligë të Parë.
SISTEMI I KUPËS
Ekipi që e fiton këtë duel do t’i dalë përballë Sigal Prishtinës në çerekfinale të Kupës, që është bartëse e Grupit A të Kupës.
Në Grupin A të Kupës, pas shortit të tërhequr si pjesëmarrës kanë qenë: Sigal Prishtina, Peja, Kalaja, Vushtrria, Istogu dhe Sfera.
Kalaja dhe Istogu, mposhtën kundërshtarët e tyre të parë, Sferën përkatësisht Vushtrrinë.
Më pas, në duelin mes vete, Kalaja mposhti ngushtë Istogun, për të arritur në të tetën e finales ku e pret Peja. Fituesi i këtij dueli luan me Sigal Prishtinën në çerekfinale, për biletën e Final Fourit.