KOMUNIKATË E BIBL
Anulohet ndeshja Rilski-Bashkimi
18 December, 2017 @13:24
Faqja zyrtare e ligës ballkanike, ka bërë të ditur sot se ndeshja e fundit e stinorit për ekipin prizrenas Rilski-Bashkimi është anuluar.
Ndeshja është dashur të luhej nesër, në Samokov të Bullgarisë.
“Menaxhmenti i klubit ka bërë të ditur se ka probleme administrative, përfshirë probleme me viza për disa lojtarë, si dhe për shkak të faktit se Bashkimi nuk ka mundësi të paraqes rosterin e lojtarëve, që është e papranueshme për rregulloren e ligës. Për këtë, ndeshja në Samokov është anuluar dhe nuk do të zhvillohet nesër,” - ka bërë të ditur BIBL.
Në të njejtin njoftim thuhet edhe që drejtuesit e BIBL do të marrin vendim lidhur me këtë ndeshje dhe do të informojnë palët e involvuara për vendimin.
Bashkimi ditë më parë ka mbetur pa trajnerin grek të skuadrës, Fotis Takianos. Trajneri në fjalë la ekipin për shkak të krizës financiare.
Në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor të Superligës, Bashkimi u mposht nga Trepça. Te prizrenasit në këtë ndeshje u paraqit vetëm një lojtar i huaj, nga dy sa ishin në të kaluarën ndaj Kerasanit dhe tre ndaj Pejës.