NË MAL TË ZI

balkanleague.net
Peja kërkon fitoren e dytë
20 October, 2014 @20:56
Ekipi i udhëhequr nga Boris Kurtovic, Peja, aktualisht ndodhet në Mal të Zi. Verdhezinjtë kanë arritur sot në Niksic të vendit fqinj ku nesër do të takohen me rivalin e Grupit A në ligën ballkanike, Sutjeska. Borozani.com
Peja, që në fundjavë fitoi derbin ndaj Trepçës në Karagaç do të kërkojë fitoren e dytë me radhë në Balkan League, pas fitores dramatike në xhiron e parë ndaj Kumanovës së fortë.
Përforcimi i fundit vendor i pejanëve, Alban Veseli, duket të jetë në formë të mirë, pasi që ai ka treguar siguri të madhe në lojën e tij dhe ka marrë përgjegjësinë në duar në ndeshjet e fundit të ekipit të Kurtovicit dhe pejanët tani më së shumti presin nga ai në takimin e nesërm.
Sa i përket kundërshtarit që ka pësuar në xhiron e parë të BIBL nga Rilski, Sutjeska në fundjavë ka mposhtur Mornarin nga Tivari me rezultat të ngushtë 71-67.
Basketbollistët më të dalluar të skuadrës malazeze janë Nemanja Arsic dhe Nemanja Vranjes. Dyshja në fjalë ka qenë edhe arsyeja kryesore që Sutjeska ka mposhtur në ligën elite të vendit të tyre Mornarin.
Ndeshjen do ta referojnë: Haris Bijedic kryesor dhe Dragan Kralj e Ivan Milicevic.