Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TRAJNERI I RI DEBUTON ME FITORE

Peja me rekord pikë të shënuara, arrin fitoren

Jalen Tate, ndër më të dalluarit sonte, pamje nga një ndeshje e kaluar e stinorit/ Foto: KBPeja/ Korniza/ fb

Peja me rekord pikë të shënuara, arrin fitoren


25 February, 2023 @20:46

Në ditën e parë të trajnerit të ri në detyrë në parket gjatë Superligës, Peja ka shënuar rekord pikë të shënuara këtë stinor në Superligë, ndërsa kundërshtari i saj Prizreni për herë të parë këtë stinor ka pranuar mbi 100 pikë në një ndeshje!

Verdhezinjtë janë dukur me vaj të ri në motor sonte, derisa kanë parakaluar pa shumë telashe bardhezinjtë nga Prizreni në një ndeshje që fliste vetëm për vendasit, hiq cerekun e dytë të ndeshjes, për të ardhur te rezultati përfundimtar, Peja 115-87 Prizreni [30-17, 23-25, 27-19, 35-18].

TABELA AKTUALE

Saktësia jashtë 6.75m ka qenë gjithashtu faktor në këtë rezultat, derisa në mënyrë ekipore Peja ka shutuar me 51% saktësi për tre pikë sonte. Jalen Tate ka dhënë 29 pikë në fitore, ndërsa 27 të tjera ka shënuar David Joseph, që ka shutuar 9/16 për tri pikë në fitore.

Nën kosh, dominim i jashtëzakonshëm i Brad Waldow me 20 kërcime dhe 6 asistime karshi 8 pikëve të shënuara, tregojnë krejt ngjarjen e ndeshjes. Në anën tjetër, ekipi i Edin Kërveshit në pjesën e dytë sikurse ra plotësisht nga koncentrimi për lojë dhe sa kalonte koha thellohej kriza e tyre në të mirë të pejanëve vendas.

Wayne Arnold dha 24 ndërsa Adam Grant 23 pikë në këtë duel për Prizrenin, që mbetet i parafundit në renditje tabelare.

Peja me fitore bën bilansin 16-7 ndërsa Prizreni 7-16. Trajneri i ri i Pejës, Rami Hadar, kështu ka startuar suksesshëm Superligën me ekipin, ndërsa që në ndeshjen e parë është arritur rekord i stinorit në pikë të shënuara nga një ekip, pasi që shqiponjat e Karagaçit dhanë 115 pikë në fitore ndaj ekipit prizrenas. Derisa Prizreni nuk është në formë të mirë, forca e vërtetë e Pejës pritet të shihet në përballjen e xhiros së radhës, kur bëhen mysafirë të kampionit aktual, Ylli!


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga