Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PEJA PARA FINALES

Peja mposht përsëri kampionin aktual, një fitore larg finales

Peja mposht përsëri kampionin aktual, një fitore larg finales


15 April, 2023 @22:54

Në tre ndeshjet e mbetura të serisë gjysmëfinale të PlayOffit Peja - Ylli, pejanëve u duhet vetëm edhe një fitore për të arritur finalen e PlayOffit dhe për të luftuar për titullin kampion të Kosovës.

Shqiponjat sonte kanë shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë të serisë gjysmëfinale ndaj kampionit aktual të Kosovës, Ylli, për të bërë avantazhin 2-0 në seri dhe tashmë janë një fitore larg nga finalja e PlayOffit.

Ndeshja për fat të keq u ndërpre për rreth gjysmë ore, kur kishin mbetur edhe 1.04 minuta deri në fund të ndeshjes, pasi që nga publiku filluan hedhjet e gjësendeve drejt parketit dhe referët vendosën që të zbrazin palestrën. E në minutat e mbetura deri në fund, në qetësinë e mbetur që i dha hije jo të mirë lojës, verdhezinjtë nga Karagaçi festuan fitoren në fund.

Ylli vs. Peja

Tashmë, Peja pret që të fitojë ndeshjen e tretë të serisë në Karagaç për të festuar bashkë me tifozët kualifikimin në finale. Por, a do të ndodh kjo mbetet të shihet pas tri ditësh në qytetin pranë Bjeshkëve të Nemuna.

Sa i përket duelit, Peja u tregua më e mirë veçanërisht në çerek të parë të ndeshjes, ndërsa të tjerat kaluan thuajse barabartë dhe me luftë të madhe për secilën pikë, ndërsa në fund ekipi i Rami Hadarit festoi, Ylli 76-86 Peja [18-26, 18-19, 18-21, 22-20].

Waldow gjigand! Double-double me 33 pikë e 17 kërcime

Brad Waldow luajti lojën më të mirë të tijën sa i përket pikëve të shënuara, duke dhënë 33 sosh si dhe duke bërë 17 kërcime, për të mbyllë duelin me double-double. Njëzet pikë dha Larry Thomas, ndërsa bëri edhe 5 asistime e 4 kërcime në fitore.

Nga të tjerët te Peja, pikë dyshifrore dha vetëm edhe Jalen Tate, që shënoi 12 sosh, bashkë me 4 asistime e 5 kërcime.

Jalen Tate, Peja

Te Ylli, që vuante mungesën e Henrik Sirkos shumë në të dyja ndeshjet e serisë dhe rikthimi i Chris Harrisit të lënduar, u dallua Valon Bunjaku që dha 13 pikë, duke shutuar 3/6 për tri pikë, si dhe duke shtuar në llogari edhe 4 asistime e 6 kërcime.

Rashun Davis ishte koshashënuesi më i mirë i ekipit, duke shënuar 16 pikë, ndërsa me nga 10 pikë ndeshjen e kryen Bashir Ahmed, Demetris Morant dhe Wes Washpun.

Peja tash me 2-0 në seri, kërkon edhe një fitore për të arritur finalen, derisa Ylli do të bëj çmos për të tentuar një befasi të madhe përmbysjeje, e a do të mund ta bëj atë, mbetet të shihet.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga