PEJA - SIGAL PRISHTINA
Peja në gjysmëfinale, përfundon stinori për Prishtinën
23 April, 2021 @18:33
Skuadra e Pejës është gjysmëfinalistja e tretë e Play Off-it në Superligë.
Verdhezinjtë arritën kualifikimin nga çerekfinalja pasi e mposhtën Sigal Prishtinën në ndeshjen e tretë vendimtare me rezultat 100-83. Kjo fitore e mbylli serinë çerekfinale me rezultat 2-1 në të mirë të Pejës.
Pejanët kishin epërsinë që nga mesi i çerekut të parë, të cilën arritën ta ruajnë deri në fund të ndeshjes, derisa prishtinasit u munduan të mbahen në lojë duke mos lejuar kundërshtarin të shkëputet në më shumë se 10 pikë.
Megjithatë në gjysmën e dytë të çerekut të fundit Peja e thelloi rezultatin edhe më tej dhe u tregua më e vëmendshme në çastet vendimtare, për ta shënuar fitoren e merituar.
Lojtari i ndeshjes ishte përsëri qendra pejane Brandon Walters, i cili pati performancë të shkëlqyer me 33 pikë dhe 16 kërcime. Pikë dyshifrore gjithashtu shënuan edhe AJ Walton, Lis Shoshi, Laron Dandy dhe Rron Grapci.
Në anën tjetër, barën kryesore në sulmin e prishtinasve e morën Nigel Johnson dhe Tevin Mack, të cilën shënuan nga 26, përkatësisht 25 pikë.
Për Pejën as në këtë ndeshje nuk luajti Dardan Berisha, i cili vazhdon të vuajë nga lëndimi.
Kjo humbje për Sigal Prishtinën do të thotë fundi i këtij stinori, gjatë të cilit u fituan dy trofe, Superkupa dhe Kupa e Kosovës.
Vlen të ceket se eliminimi nga Play Off-i i Prishtinës erdhi pikërisht nga ish trajneri i saj, Dragan Radovic, i cili i kishte udhëhequr bardhekaltërit para se ta merrte drejtimin e pejanëve.
Në gjysmëfinale Peja do të takohet me liderin, Ponte Prizrenin, ndërsa seria do të fillojë të dielën me ndeshjen e parë që do të luhet në palestrën “Sezai Surroi” të Prizrenit.