SUPERKUPA
Peja reagon për Superkupë
6 September, 2013 @10:20
Vendimi i Bordit të FBK-së që Salamander Superkupa e Kosovës ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës të organizohet në sallën 1 Tetori në Prishtinë, nuk i ka pëlqyer aspak klubit të Pejës.
Drejtuesit pejan sot me anë të një komunikate kanë shprehur reagimin e tyre ndaj këtij vendimi.
“Dje me datën 05.09.2013, jemi njoftuar se Superkupa do të organizohet në Prishtinë me datën 19.09.2013 në sallën 1 Tetori. Ne si klub kemi shpresuar shumë që kjo ndeshje do të organizohet në një qytet neutral, në një qytet ku basketbolli është më pak i zhvilluar dhe të bëhet promovimi i basketbollit edhe atje.
Ne shprehim shqetësim lidhur me sigurinë në këtë ndeshje, kur dihet që ne si klub jemi të interesuar për të marrë gjysmën e totalit të biletave për tifozërinë tonë. Prandaj kërkojmë nga Federata si organizatore që të garantojnë si dhe të mbajë përgjegjësi për dëmet eventuale materiale që do t’i shkaktohen klubit tonë apo tifozëve tonë.
Vërtetë mendojmë që Bordi i FBK-së ka mundur të zgjedh një vend neutral për këtë ndeshje të bukur, ashtu si është praktike në shumë vende tjera të botës, dhe të mos e organizojë pikërisht në Prishtinë. Shpresojmë që në muajt e ardhshëm Bordi i FBK-së të analizojë më mirë situatën dhe të mundohet të jetë më neutral,” thuhet në reagimin e KB Pejës.